Tentativa e përdhunimit të 13-vjeçares, përgjimi që zbuloi tre të rinjtë

Shqipëria

Tentativa e përdhunimit të 13-vjeçares, përgjimi që zbuloi tre të rinjtë

Më: 19 maj 2018 Në ora: 12:35
Ilustrim

Gjykata e Rrethit Gjyqësor Fier ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” ndaj tre të rinjve, të cilët u arrestuan mbrëmjen e së dielës, pasi akuzohen se morën forcërisht nga oborri i shtëpisë së saj një vajzë të mitur 13-vjeçare dhe tentuan të kryenin marrëdhënie seksuale me të

Gjykata e Rrethit Gjyqësor Fier ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” ndaj tre të rinjve, të cilët u arrestuan mbrëmjen e së dielës, pasi akuzohen se morën forcërisht nga oborri i shtëpisë së saj një vajzë të mitur 13-vjeçare dhe tentuan të kryenin marrëdhënie seksuale me të. Të rinjtë e dyshuar për krimin nuk e kanë pranuar akuzën. Sipas burimeve të gjykatës, ata janë shprehur se nuk kanë gisht në këtë ngjarje dhe nuk janë autorë. Por, pavarësisht pretendimeve të tyre, duket se provat që prokurorja e çështjes, Vjoleta Shkurta, i ka paraqitur gjykatës, e kanë bindur gjyqtaren Adelina Zarka, se tre të arrestuarit kanë bashkëpunuar në kryerjen e aktit të rrëmbimit me forcë të së miturës dhe tentativës së tyre për kryerje të marrëdhënieve seksuale me dhunë.

Mësohet, se veç dëshmisë së të miturës dhe të familjarëve të saj që e kanë gjetur të lidhur 13- vjeçaren në banesën ende të papërfunduar të Jorges Dostit, që ndodhet në anën tjetër të rrugës së shtëpisë së tyre, gjatë hetimeve paraprake janë siguruar prova se tre të rinjtë kanë bashkëvepruar me njëri-tjetrin për kryerjen e këtij krimi. Policia dhe Prokuroria, me anë të hetimeve speciale, kanë siguruar prova të pakundërshtueshme se ata janë të përfshirë në rrëmbimin dhe tentativën e përdhunimit të së miturës. Kështu, mësohet se nga përgjimet ambientale të kryera pas shoqërimit të tre të rinjve të sipërcituar, janë siguruar prova që i implikojnë ata në këtë ngjarje.

Pas njohjes me provat e Prokurorisë dhe pretendimeve të avokatëve mbrojtës të tre të arrestuarve, gjykata ka vendosur të caktojë masën e sigurisë “arrest në burg” pa afat ndaj tyre për veprat penale “Heqje e paligjshme e lirisë” dhe “Marrëdhënie seksuale me të mitur”, e mbetur në tentativë. Gjithashtu, gjykata ka shpallur moskompetencën e saj për shqyrtimin e mëtejshëm të kësaj çështjeje dhe delegimin e saj për në Gjykatën e të Miturve Vlorë, ku pritet të kryhet rivlerësimi i masës së sigurisë ndaj tre të ndaluarve. Jorges Dosti, Redion Tereziu dhe Marjus Çalamëni akuzohen se mbrëmjen e së dielës, rreth orës 21:00, kanë marrë me forcë nga oborri i shtëpisë së saj një vajzë të mitur 13-vjeçare dhe pasi e kanë lidhur dhe i kanë mbyllur gojën me lecka, më pas kanë tentuar të kryejnë marrëdhënie seksuale me dhunë. Fatmirësisht, ka qenë e ëma e të miturës që ka pikasur mungesën e së bijës dhe e ka gjetur të lidhur ende pa u kryer akti, ndërsa tre agresorët janë larguar me shpejtësi në errësirë.

Dëshmia

“Do të shkoja të shikoja emisionin humoristik ‘Portokalli’ tek xhaxhai por sapo dola në oborr disa persona më mbyllën gojën, me lidhën dhe me morën me forcë në krahë duke më çuar në shtëpinë që po ndërtohet në anën tjetër të rrugës”. Kështu mësohet të ketë deklaruar para hetuesve dhe në prani të psikologes 13-vjeçarja. Ngjarja ndodhi mbrëmjen e të dielës në një fshat të Bashkisë Roskovec. E mitura ka shpjeguar se personat që e kanë kryer aktin e rrëmbimit forcërisht të saj kanë qenë tre, ku mes tyre ajo ka njohur edhe dy bashkëfshatarët Jorges Dosti dhe Marjus Çalalamëni, tashmë të arrestuar së bashku me të riun Redon Tereziu nga fshati Vlosh i Roskovecit. Edhe e ëma e të miturës ka deklaruar se e ka gjetur të bijën e mitur të lidhur. “Jo vetëm duart, por edhe gojën ja kishin lidhur me litar”, mësohet të ketë pohuar para hetuesve e ëma e 13-vjeçares.

Ky fakt është konstatuar edhe nga ekspertiza mjeko-ligjore prej nga është konkluduar se si pasojë e shtrëngimit të litarëve, të miturës i janë shkaktuar dëmtime në këmbë, duar dhe në gojë. Por, fatmirësisht nga mjeko-ligjorët është konstatuar se tre agresorët nuk kanë mundur të kryejnë marrëdhënie seksuale me të miturën. Nga këqyrja e vendit të ngjarjes është konstatuar se tre të dyshuarit kanë vepruar me paramendim pasi ishin kujdesur edhe të vendosnin shtroje në vendin ku do të kryenin krimin e tyre. Ndonëse se familjarët e Marjus Çalamënit kanë pretenduar se 24-vjeçari ka qenë duke vjelë domate në momentin e ngjarjes dhe se biçikletën jua kishte dhënë shokëve të tij, nga hetimet paraprake është konkluduar se të tre të arrestuarit, Jorges Dosti, Marjus Çalamëni dhe Redion Tereziu kanë bashkëpunuar me njëri tjetrin për kryerjen e këtij krimi.

Mësohet se nga përgjimet ambientale të kryera pas shoqërimit të tre të rinjve ata kanë diskutuar të tre me njëri-tjetrin se si do të deklaronin kur të merreshin në pyetje. Nga përgjimet është konstatuar se 24-vjeçari Jorges Dosti ka qenë edhe organizatori i planit për dhunimin e të miturës. Ai mësohet t’u ketë thënë të dy shokëve që të mos e pranojnë ngjarjen. Marjus Çalamëni u ka kërkuar mendim dy shokëve se si do justifikonte faktin se në vendngjarje kishte mbetur biçikleta e tij. Jorgesi e ka këshilluar të shprehet se biçikletën ja kishte dhënë një shoku dhe nuk e di se ku e kishte lënë shoku i tij. Po ashtu nga përgjimet dhe hetimet e deritanishme është konkluduar se 24-vjeçari Jorges Dosti që ishte edhe fqinj me të miturën ka planifikuar dhe organizuar krimin, ndërsa është ndihmuar nga dy shokët e tij Redion Tereziu dhe Marjus Çalamëni, ku ky i fundit mësohet të ketë luajtur rolin e rojes deri në momentin që u zbuluan nga familjarët e 13-vjeçares.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat