Independent: Rusia ka kthyer sytë nga Shqipëria

Shqipëria

Independent: Rusia ka kthyer sytë nga Shqipëria

Më: 17 maj 2018 Në ora: 23:13
Putin

Në një shkrim të dedikuar zhvillimeve të fundit në Ballkanin Perëndimor, e përditshmja prestigjioze “The Indipendent” paralajmëron se tashmë Rusia ka kthyer sytë nga Shqipëria, me synim që ta shndërrojë këtë të fundit në një bazë nga ku të përhapë destabilitet në të gjithë rajonin tonë.

Sipas kësaj të përditshme, destabilizimi i Ballkanit është shndërruar tashmë në synimin parësor të politikës së jashtme ruse, pasi integrimi i rajonit tonë do të kompletonte një bllok solid vendesh europiane nga Skandinavia deri në Egje.

“Rusia e ka të pamundur të përballet me këtë bllok. Shansi i saj i vetëm përballë Europës është të përballojë shtetet e tjera tek e tek”, shkruan midis të tjerash “Independent”, e cila fokusohet në vijim të shkrimit në zhvillimet në vendin tonë.

Sipas kësaj gazete, nuk është një rastësi që në këtë moment ku Rusia shfaqet shumë agresive në politikën e saj të jashtme, u gjetën brenda natës një milionë dollarë për të financuar fushatën e PD.

Ndaj, “Independent” del në përfundimin se “afrimi i PD me administratën e Trump, falë fondeve ruse, do të krijonte tek shqiptarët pro-amerikanë ndjesinë që kjo forcë ishte e parapëlqyera e administratës amerikane, duke i dhënë një avantazh në zgjedhje”.

Por, tabloidi vazhdon më tej, duke arritur në përfundimin se: “Nëse Partia Demokratike do e kishte mundur socialistët në pushtet nën Edi Ramën do të kishte pasur një përballje të plotë me Brukselin dhe shpresat shqiptare për BE-në do ishin copëtuar”.

Në artikull, një rëndësi i kushtohet edhe procesit të vetingut, për të cilin shkruhet: “Koka e politikës së huaj të BE-së, Federica Mogherini u përball me fyerjet e pasuesit të Berishës, Lulzim Basha, kur ajo nguli këmbë të zëvendësonte gjykatësit e dyshimtë që kishin punuar në baza miqësie me politikanët e Partisë Demokratike”.

Lexoni artikulli e plotë të “The Independent” në shqip, ose në original në linkun e bashkangjitur në fund të kësaj faqe.

Përse një Ballkan në BE është një problem i madh për Putin?

Duke e parë veten gjithmonë e më shumë jashtë Perëndimit në Siri, Vladimir Putini po i kthen sytë drejt një çmimi shumë më të madh në fiksimin e vet të përhershëm për të minuar kohezionin gjeopolitik të Europës.

Siç deklaroi ideologu kryesor ndërkombëtar i Rusisë, Sergei Karaganov: “Të paktën gjatë dekadës së fundit, bota ka dëshmuar fundin e hegjemonisë 500-vjeçare të Perëndimit”.

Rusia është e vendosur të përshpejtojë këtë fund duke inkurajuar çdo lëvizje që dobëson kohezionin e Bashkimit Europian.

“Der Spiegel” raporton që Shërbimi Inteligjent Gjerman BND, i barazvlefshmi i MI5, ka prova se hakerat Rusë mbështetën forcat separatist në Katalonjë.

Një ndarje e Spanjës, menjëherë pas Brexit, e dobëson unitetin e BE-së, që është një qëllim kryesor i politikës së jashtme të Kremlinit.

Pasi dërrmoi gjermanët në 1945-n dhe mori kontrollin mbi gjysmën e Europës, Rusia ndihej sikur kishte më në fund fuqi hegjemonike në kopshtin e vet Europian.

Britania, nën një qeveri laburiste shumë anti-komuniste drejtuar nga patriotë dhe figura mosbesuese ndaj Moskës si Clement Attlee dhe Ernest Bevin, krijoi një aleancë me Uashingtonin që ndryshe nga ajo e 1920, i mbajti SHBA-të “të ankoruar” në Europë.

Por, NATO-ja nuk ishte aq e rëndësishme sa integrimi ekonomik europian që nisi në 1950-n dhe gradualisht përfshiu të gjithë shtetet e Europës Perëndimore deri më 1990-n.

Arsenali bërthamor i Bashkimit Sovjetik, tanket dhe anijet në ndryshkje, gjeneralët që u ishin hequr medaljet nuk mundën ta ruanin fuqinë absolute të Rusisë, ndërsa Europa komuniste filloi të shihte mirëqënien dhe jetën cilësore të qytetarëve të Bashkimit Europian dhe vendosi që atë donin edhe ata.

Rusia mund të përballonte Amerikën e largët në marrëdhëniet dypalëshe, por nuk duronte dot idenë e një Europe të bashkuar që foli njëzëri për Krimenë, kur sanksionoi Gazpromin apo kur mbështeti Britaninë lidhur me helmimet në Salisbury.

Putin preferon marrëdhëniet dypalëshe me kombe individuale në Europë dhe nuk duron dot idenë e 28 kombe-shtet që bien dakort mbi çdo lloj politike të jashtme të përbashkët për ekonominë apo për sigurinë.

Prandaj Kremlini ndihmoi partitë anti-BE, si Fronti Kombëtar në Francë dhe u mundua të manipulonte mediat sociale gjatë fushatës së “Brexit”.

Ndarja e Europës në kombe e shtete të veçanta, të cilave t’u bëhet presion, copëtohen një nga një apo të miklohen me  pakte energjitike dypalëshe që zëvendësojnë  multilateralizmin e BE-së ëshë objektivi kryesor i politikës Ruse.

Beteja e ardhshme do të jetë në Ballkanin Perëndimor, ku BE ka thanë tashmë që pas gati dy dekadash që liheshin në pritje për anëtarësim në BE, gjashtë vendet, Shqipëria, Bosnje-Hercegovina, Kosova, Maqedonia, Mali i zi dhe Serbia presin të anëtarësohen deri në 2025-n.

Popullsia e tyre në total është vetëm 18 milion – gati sa Austria dhe Hungaria. Siç u transformuan Irlanda, Portugalia dhe Greqia kur iu bashkuan Europës, dhe PBB i Polonisë, që ishte 50% i mesatares së BE-së kur iu bashkua Europës në 2004 dhe sot është 75%, këto vende të vogla të Europës juglindorë mund të shpresojnë që hyrja në BE do të jetë transformuese.

Gjëja e fundit që do të donte Kremlini është integrimi Europian i Ballkanit dhe formimi i një zinxhiri të pandashëm shtetesh anëtare të BE nga Egjeu deri në Alpe.

Që tani, Kremlin po përdor Serbinë si karrem duke mbështetur irredentistët serbë që refuzojnë të pranojnë se Kosova nuk do të kthehet në statusin e vet të mëparshëm si një provincë e kontrolluar nga serbët dhe e sunduar nga Beogradi.

Rusia vazhdon të luajë kartën sllave dhe ortodokse kundër mazhorancës muslimane të shtetit të Kosovës.

Agjensia Ruse e lajmeve “Sputnik” ka famë të madhe në Beograd dhe ministri rus i mbrojtjes, Sergei Shoigu, ka vendosur një qendër të ndihmës humanitare në Serbi, e pajisur me personel me uniforma që krijojnë dyshime e mund të jenë ushtarë.

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç merr mësime rusishteje çdo mëngjes dhe ishte ndër të paktët lidera të huaj të pranishëm në Moskë në ceremoninë e inagurimit të mandatit të katërt presidencial të Presidentit Putin, më parë gjatë këtij muaji.

Tani Rusia po e kthen vëmendjen drejt Shqipërisë, ku Kryeministri socialist energjik e i suskesshëm në elektorat, Edi Rama, i trajnuar si artist në Francë, po shpreson të marrë aprovimin e “BE27” për të nisur sa më herët negociatat për anëtarësim.

Një kërkesë kyçe nga Brukseli është që Shqipëria të pastrojë sistemin gjyqësor, duke zëvendësuar gjykatësit e akuzuar për korrupsion gjatë drejtimit të gjatë të së djathtës me Partinë Demokratike, lideri i përhershëm i së cilës, Sali Berisha, i cili drejtoi Shqipërinë postkomuniste drejt një vorbulle të tmerrshme financiare, kur lejoi lulëzimin e skemave piramidale që i kushtuan qindra mijëra shqiptarëve investimet e një jete të tërë.

Koka e politikës së huaj të BE-së, Federica Mogherini u përball me fyerjet e pasuesit të Berishës, Lulzim Basha, kur ajo nguli këmbë të zëvendësonte gjykatësit e dyshimtë që kishin punuar në baza miqësie me politikanët e Partisë Demokratike.

Basha e akuzoi se fliste “gjepura” sepse guxoi të insistonte për kërkesën e BE-së që të pastrohej drejtësia. Përkundrazi, i lideri i PD shkoi në Amerikë të kërkontë mbështetje nga administrata e Trumpit.

875,000 dollarë iu paguan një lobisti amerikan që ta nxirrte Bashën në foto me Presidentin Trump në një event bamirësie. Pyetja është, kush pagoi 875,000 dollarë?

Hetimet nga “Mother Jones”, “BIRN” (“Balkan Investigative Reporting Netëork”), dhe “Herald” në Glasgou, të gjitha tregojnë nga paratë e oligarkëve pro-Putin janë kanalizuar përmes një kompanie guackë në Edinburg dhënë një firme lobimi me seli në Uashington.

Pothuajse brenda natës iu dha gati një milionë dollarë Partisë Demokratike Shqiptare, të përdorura për afrimin e kësaj të fundit me administratën e Trump, me shpresën që votuesit shqiptarë pro-amerikanë të mbështesnin partinë që ishte më afër me Trumpin.

Nëse Partia Demokratike do e kishte mundur socialistët në pushtet nën Edi Ramën do të kishte pasur një përballje të plotë me Brukselin dhe shpresat shqiptare për BE-në do ishin copëtuar.

Kjo i përshtatet përpjekjeve ruse për ta mbajtur Ballkanin Perëndimor sa më të paqëndrueshëm të jetë e mundur dhe të parandalojë që BE-ja ta normalizojë rajonin.

Sot, drejtuesit e BE-së po takohen me drejtues të Ballkanit Perëndimor në Bullgari. Brukseli do të shmangë ofrimin e ndonjë date anëtarësimi deri sa vendet e Ballkanit Perëndimor të promovojnë “ndërlidhje”, një fjalë e re europiane për “rritje”.

Ka shumë faktorë të që luajnë rol, përfshirë mosmarrëveshjet mes Athinës dhe Shkupi lidhur me emrin e Maqedonisë, që mund ta frenojnë anëtarësimin në BE për gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor.

Por, për Rusinë, të mbajë këtë cep të Europës sa më të paqëndrueshëm të jetë e mundur është tashmë pjesë e Europapolitik-ës së saj./TemA

https://www.independent.co.uk/voices/putin-balkan-countries-eu-join-russia-problem-serbia-albania-a8355866.html

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat