Familjarët i luten mikut të Fatjonit: Trego ku është trupi i djalit

Shqipëria

Familjarët i luten mikut të Fatjonit: Trego ku është trupi i djalit

Më: 17 maj 2018 Në ora: 22:14
Fatjon Fejzillari 29 vjeçar babai i një vajze nga Peqini ka 18 ditë që rezulton i zhdukur duke i humbur kontaktet me familjarët e tij që në datë 29 prill.

Kanë kaluar 18 ditë nga zhdukja e Fatjonit babait të një vajze të vogël nga Peqini, dhe nëna e tij ende me lot në sy ka shpresë tek Policia e Shtetit, por edhe tek fakti se Fatjonit do ti kthehet një ditë të afërt në shtëpi. 

Fatjon Fejzillari 29 vjeçar babai i një vajze nga Peqini ka 18 ditë që rezulton i zhdukur duke i humbur kontaktet me familjarët e tij që në datë 29 prill.

Por edhe pse kanë kaluar kaq ditë shpresat për familjarët janë të vakta. Ato me lot në sy i kërkojnë mikut të Fatjonity me të cilin ai ishte larguar në Shkodër për të tregëtuar perde dhe carcafë që të tregojnë të vërtetën për djalin e tij. Gjatë një interviste për Panorama nëna e Fatjonit, Fatimeja ende me lotët në sy kërkon ndihmë, për të marrë qoftë edhe një lajm për djalin e saj.

Kur është larguar Fatjoni për herë të fundit nga shtëpia?

Fatjoni u largua në datën 23 prill dhe tha se do të shkonte me shokun e tij Aleksandrin në veri të Shqipërisë për të tregtuar siç kishte bërë shumë herë edhe më parë.

Kur ishte telefonata e fundit që keni bërë me Fatjonin?

Kemi folur në datën 29 prill dhe tha se atë ditë në mbrëmje do të kthehej pasi kishte vajzën me sëmurë dhe duhej me patjetër që ti blinte ilaçe. Por ajo ishte hera e fundit, edhe pse ne tentuam ti binim telefonit deri më tani asgjë, madje ai është fikur fare,

Kur kishte nisur tregtinë Fatjoni?

Pak kohë më parë ai mori 5 milion lekë në bankë dhe me to nisi të punonte si tregtar ambulant ku tregtonte perde dhe çarçafë kryesisht në Shqipërinë e Veriut. U nis nga shtëpia mëngjesin e 23 prillit dhe tha se do shkonte si fillim në Shkodër. Ne e prisnim por ai nuk ka ardhur. U nis me makinë me shokun e tij Aleksandër Fadili dhe mbas Shkodrës edhe në disa fshatrave të këtij qyteti, Fatjoni kishte ndaluar në Milot dhe dita e fundit ka qenë në Laç.

Si e mësuat për largimin e Fatjonit?

Mëngjesin e datës 29 prill më merr xhaxhai i shokut të Fatjonit, dhe më thotë se Aleksandri është në Polici pasi Fatjoni është zhdukur një natë më parë dhe ende asgjë nuk dihet për të.

Po vetë Aleksandi nuk ju tha gjë?

Jo, me Aleksandrin Fatjoni kishte shkuar edhe herë të tjera, dhe këtë herë ata sipas Aleksandrit kishin ndaluar në Laç. Ata ishin ndarë në orën 6 pasdite për tu takuar në orën 8 në të njëjtin vend shumë pranë qytetit të Laçit.

Çfarë ju ka treguar Aleksandri?

Ai të nesërmen që bëri denoncimin në Policinë e Laçit na tha se me Fatjonin ishin ndarë atë pasdite dhe do të takoheshin në darkë. Aleksandri i kishte lënë Fatjonit 1.6 milion lekë me qëllim që Fatjoni tia ruante, por edhe vetë Fatjoni kishte të njëjtën sasi parashë.

Do të thotë se në momentin që është zhdukur Fatjoni kishte edhe paratë e Aleksandrit?

Po, kështu thotë Aleksandri se në momentin që është zhdukur Fatjoni kishte 2.6 milion lekë me vete.

Po ju a e besoni këtë?

Jo, ne nuk e besojmë se Aleksandri i ka dhënë lekë Fatjonit. Madje nuk besojmë edhe faktin se Fatjoni është zhdukur. Ne dyshojmë se Aleksandri e di se çfarë ka ndodhur me djalin tonë por nuk tregon.

Cfarë kërkoni nga shteti?

Ne në radhë të parë i kërkojmë Aleksandri që të tregojë të vërtetën për djalin tonë. I lutemi me dorë në zemër që nëse e di të vërtetën të na e thotë.

Mendoni se e keni gjallë djalin tuaj?

Nuk e di ta them më këtë. Jam shumë e lodhur. Kemi kërkuar bashkë me djalin të gjithë ,pesetat dhe puset e Laçit me mendimin se mos e kanë hedhur të vrarë por nuk kemi gjetur. Kemi shkuar edhe në Polici por edhe ato nuk na kanë thënë gjë. Na përcjellin me fjalët “ mos u mërzit jemi në kërkim”. Kanë vetëm dy ditë që e kanë marrë seriozisht kërkimin për djalin tim, vetëm kur shkuam tek drejtori i Përgjithshëm i Policisë për të na ndihmuar.

Sa kohë ka Fatjoni që është tregtar ambulant?

Kishte nisur këtë punë pak kohë më parë. Punonte për një kafshatë bukë me qëllim që vajzës së tij të vogël të mos i mungonte asgjë. Ju lutem të gjithë atyre që e kanë parë Fatjonin të na tregojnë. Jemi të përvëluar për ta parë djalin tonë. I lutemi shtetit, por edhe Aleksandrit që është arrestuar tashmë që të tregojë të vërtetën. Ata kanë qenë shokë fëmijërie janë miq bashkë, nuk është e drejtë që të mbajë të fshehtë të vërtetën për djalin tonë nëse e di. Ky është apeli që bën nëna e Fatjonit për Aleksandrin shokun e tij të fëmijërisë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat