Rama takon Macron, Franca ende pa vendim për hapjen e bisedimeve

Shqipëria

Rama takon Macron, Franca ende pa vendim për hapjen e bisedimeve

Nga: G.B Më: 15 maj 2018 Në ora: 13:29
Edi Rama dhe Emmanuel Macron

(E plotësuar) - Presidenti francez Macron prit Kryeministrin Rama në Elize, në një takim që ishte parashikuar të zgjate 50 minuta por që shkoi përtej axhendës, duke zgjatur 1 orë e 30 minuta. Burime nga delegacioni shqiptar bënë me dije për Top Channel se Macron dhe Rama kanë qëndruar kokë më kokë për 45 minuta.

Presidenti Francez mësohet se është shprehur me nota shumë pozitive për reformat, sidomos ajo në drejtësi, ndërkohë që burime nga delegacioni shqiptar theksojnë se Macron ka vlerësuar edhe rezultatet e luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Një shqetësim i hershëm i për Francën ka qenë çështja e azilantëve shqiptarë, për të cilën Presidenti Macron mësohet se ka falënderuar Kryeministrin Rama për bashkëpunimin me institucionet e specializuara franceze, për të frenuar fenomenin e atyre që abuzojnë me sistemin e azilkërkimit.

Kryeministri Rama nga ana e tij ka ngulur këmbë në mënyrë insistuese duke kërkuar që në fund të qershorit Franca t’i njohë Shqipërisë meritën në procesin e integrimit evropian dhe të pranojë hapjen e negociatave të anëtarësimit. Në përgjigje, Presidenti Macron mësohet se ka theksuar se strukturat përkatëse në Paris janë angazhuar seriozisht në leximin e detajuar të raport të Komisionit Europian dhe në javët në vijim do të formësojnë edhe qëndrimin përfundimtar të Francës.

Rajoni dhe roli i Shqipërisë në të ka qenë tjetër temë e takimit, së bashku me samitin e Sofjes, ku Macron është shprehur se do të mbajë një fjalë tepër të rëndësishme. Për sa i përket politikës së jashtme të Tiranës, Presidenti francez ka vlerësuar koherencën e Shqipërisë dhe linjën e saj të konsoliduar me politikën e jashtme të Bashkimit Europian.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama po qëndron për vizitë në Francë, ku është pritur nga presidenti francez Emmanuel Macron, përcjell Bota sot.

Rama ka publikuar video në llogarinë e tij në Facebook, nga pritja që Macron i ka bërë në Pallatin Elysée.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat