Avokati i Saimir Tahirit flet për provat që kanë ardhur nga Greqia dhe Italia

Shqipëria

Avokati i Saimir Tahirit flet për provat që kanë ardhur nga Greqia dhe Italia

Më: 14 maj 2018 Në ora: 18:49
Saimir Tahiri

Kërkesa e Prokurorisë për arrestimin e ishministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri dhe vendimi i Gjykatës që caktoi “arrest shtëpie”, nuk janë mbështetur në asnjë provë të re.

Kështu u shpreh dje për gazetën “Panorama”, avokati i Tahirit, Maks Haxhia. Sipas tij, është e njëjta situatë si herën e parë dhe nuk ka asnjë provë të re. Ai u shpreh se edhe përgjigjet e letërporosive nga Greqia dhe Italia, përveç konfirmimit të udhëtimeve të Saimir Tahirit me familjen e tij, të cilat ishin deklaruar edhe nga vetë ai, nuk kanë sjellë asnjë provë të re.

Haxhia thotë se, sipas përgjigjeve të letërporosive, është konfirmuar që Tahiri nuk është takuar dhe as ka komunikuar me Habilajt.

“Nuk ka absolutisht asnjë provë të re. Është e njëjta gjë si herën e parë. Kane ardhur vetëm përgjigjet e letërporosive nga Greqia dhe Italia që konfirmojnë faktin se Tahiri ka kaluar atje me familjen, por absolutisht asnjë fakt që ta lidhë atë me Habilajt, qoftë takime apo komunikime”, u shpreh avokati Haxhia. Nga ana tjetër, ai konfirmoi se do të apelojnë masën e “arrestit shtëpiak”, por pasi të njihen me vendimin e arsyetuar, se deri tani ende nuk janë njohur. “Sot presim të marrim vendimin sepse nuk e kemi marrë ende vendimin e zbardhur bashkë me arsyetimin dhe sapo ta marrim, do bëjmë apelimin”, tha avokati.

NESER SEANCA PER MASEN E SIGURISE

Tahiri, do të dalë nesër në 11:00 para Gjykatës së Krimeve të Rënda për verifikimin e masës së sigurisë dhe të merret në pyetje.

Këtë herë ish minsitri do të shoqërohet me policë nga banesa e tij tek “Kodra e Diellit” për në sallën e gjyqit. Gjyqtare e seancës do të jetë Liliana Baku.

MASA E SIGURISE

Gjykata e Krimeve të Rënda ka vendosur masën e “arrestit shtëpiak” për ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri, i cili është në hetim për “korrupsion pasiv” dhe “trafikim narkotikësh në bashkëpunim në kuadër të grupit të strukturuar kriminal”. Vendimi i gjyqtares Liljana Baku është dhënë pas rreth 8 orësh shqyrtim të dosjes “Tahiri”.

Burimet thanë se Prokuroria e Krimeve të Rënda ka kërkuar “arrest me burg” për ishministrin, që la së fundmi edhe mandatin e deputetit. Të njëjtat burime thonë se kërkesa është dorëzuar pranë Gjykatës së Krimeve të Rënda ditën e premte, ndërsa shqyrtimi i saj është bërë të shtunën nga gjyqtarja Liljana Baku.

Me ndryshimet e Kodit Penal, kërkesa të tilla shqyrtohen jashtë seancave gjyqë- sore. Në këtë mënyrë, gjyqtarja ka pranuar pjesërisht kërkesën e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, duke caktuar masën e sigurimit personal “arrest në shtëpi” për Saimir Tahirin. “Urdhërohet shtetasi nën hetim Saimir Bashkim Tahiri të mos largohet nga banesa e tij, ndodhur në Tiranë, Rruga “Kodra e Diellit”, Pallati Nr. 3.”, shkruan një njoftim për mediat i shpërndarë nga Prokuroria e Përgjithshme.

VENDIMI

Të shtunën, rreth orës 09:30, gjyqtarja Liljana Baku ka shkuar në godinën e Gjykatës për të shqyrtuar kërkesën e Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Më pas, në Gjykatë kanë shkuar edhe prokurorët e çështjes, Besim Hajarmataj, që ka udhëhequr hetimet për Tahirin, së bashku me Elisabeta Imerajn dhe Gentian Osmanin. Përveç tyre, në Gjykatë është vënë re edhe prania dy zyrtarëve të lartë të Policisë së Shtetit, Aida Hajnajaj që mban postin e zv/drejtorit të Policisë dhe Eduard Merkaj. Vendimi është marrë rreth orës 19:00 nga gjyqtarja Baku dhe më pas i është lajmëruar ish-ministrit Tahiri.

Burime jozyrtare në Prokurorinë e Krimeve të Rënda thanë se ka prova të reja që rëndojnë disi pozitën e ishministrit Tahiri, për lidhjet e tij me Habilajt dhe ish-zyrtarët e Policisë së Vlorës që janë në kërkim. Kështu, të njëjtat burime, thonë se përcaktuese në marrjen e masës së sigurimit kanë qenë dy letërporosi të ardhura nga Greqia dhe Italia, por që nuk kanë mjaftuar për “arrest me burg”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat