Gjyqtarja Xhaxho kalon vettingun

Shqipëria

Gjyqtarja Xhaxho kalon vettingun

Më: 14 maj 2018 Në ora: 09:59
Manjola Xhaxho

Gjyqtarja e Gjykatës së Tiranës, Manjola Xhaxho kaloi procesin e vettingut.

Ky vendim u dha sot nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, i cili e cilësoi si figurë të pastër gjyqtaren Xhaxho.

“Në përfundim të procesit të rivlerësimit trupa gjykuese vendosi konfirmimin në detyrë të subjektit të rivlerësimit Manjola Xhaxho”, deklaroi relatorja e çështjes. Seanca kryesohej nga trupa gjykuese Etleda Çiftja, Xhensila Pine, Valbona Sanxhaktari.

Rivlerësimi i figurës së gjyqtares Xhaxho u bë si pjesë e listës prioritare, pasi ajo është kandidate për anëtare e Këshillit të Lartë Gjyqësor.

Trupa gjykuese e KPK-së bëri të ditur gjatë seancës dëgjimore më 10 maj për gjyqtaren e Gjykatës së Tiranës Manjola Xhaxho, njëkohësisht kandidate për në Këshillin e Lartë Gjyqësor, se nuk i gjeti asaj probleme me pasurinë.

Xhaxho gjithashtu mori vlerësime pozitive edhe nga institucionet ndihmëse, Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive e Konfliktit të Interesit (ILDKPKI) dhe Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar (DSIK) dhe vlerësim profesional pozitiv.

Prej vitit 2002 e në vazhdim, Manjola Xhaxho është gjyqtare në Gjykatën e Tiranës, ndërsa për tre vjet ka qenë këshilltare ligjore në Gjykatën e Lartë./ATSH

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat