Alibeaj: “Forca e ligjit” është degdisur në operacionin “Forca e Agronit”

Shqipëria

Alibeaj: “Forca e ligjit” është degdisur në operacionin “Forca e Agronit”

Më: 12 maj 2018 Në ora: 13:20
Enkelejd Alibeaj dhe Gazment Bardhi

Deputeti Enkelejd Alibeaj dhe këshilltari ligjor i PD-së, Gazment Bardhi sërish në një deklaratë për mediat për çështjen “Xhafaj”, për të cilat thanë se tashmë është përfshirë dhe Prokurorja e Përgjithshme, pasi sipas tyre është vendosur aty “nga Edi Rama në shkelje të Kushtetutës, dhe pa veting, për të garantuar mbrojtjen e korrupsionit të qeverisë Rama”.

“Heshtjes së Fatmir Xhafajt, ka vendosur t’i bashkohet edhe Arta Marku. Faktet dhe provat që tregojnë se Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj ka kryer veprën penale të korrupsionit të zyrtarëve të lartë publikë dhe të falsifikimit të dokumenteve zyrtare, janë përpara syve të çdo shqiptari. Të dy, Fatmir Xhafa dhe Arta Marku janë në një shkelje tjetër flagrante të ligjit”, tha Alibeaj.

Sipas PD-së, Agron Xhafa është subjekt i ligjit antimafia, dhe pasuria e tij duhet të konfiskohet. Ai thotë se Xhafaj hesht për falsifikimin dhe trafikimin e nenit për të mbrojtur vëllain e tij.

“Sot e pyesim Fatmir Xhafajn: Cilat janë pikëtakimet apo lidhjet e Agron Xhafajt me njerëz të pushtetit?

A vlen angazhimi i Fatmir Xhafajt për të goditur pasuritë e organizatave kriminale edhe për vëllain e tij?

1. A e ka përfshirë Fatmir Xhafaj vëllain e tij Agron Xhafaj në listën e personave me rekorde kriminale pasuritë e të cilëve duhet të verifikohen?
2. A është skeduar dhe nën vëzhgim nga Policia e Shtetit Agron Xhafaj dhe aktiviteti i tij ekonomik, për shkak të aktivitetit të tij të mëparshëm kriminal në trafikun e drogës?
3. A ka operacioni “Forca e Ligjit” efekt mbi pasurinë e vëllait të Ministrit të Brendshëm Agron Xhafaj të dënuar për trafik droge, apo ai është i paprekshëm sa kohë Ministër i Brendshëm dhe drejtues i operacionit është Fatmir Xhafaj?
4. A gënjeu Fatmir Xhafaj kur tha se as ai dhe as familjarët e tij nuk janë mbi ligjin, dhe se ai nuk ka asnjë pushtet për të ndikuar mbi këtë çështje?”, tha më tej Alibeaj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat