Siguracioni i makinave do të mbulojë edhe dëmtimin e pronës

Shqipëria

Siguracioni i makinave do të mbulojë edhe dëmtimin e pronës

Më: 11 maj 2018 Në ora: 16:25
Foto ilustrim

Deri më sot nëse bëje një aksident në rrugë dhe dëmtoje semaforin, kontrata e sigurimit të makinës nuk e mbulonte këtë dëm,  rrjedhimisht riparimi i tij bëhej me fonde publike. Por një nisëm e re ligjore e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare dorëzuar në Komisionin e Ekonomisë dhe Ministrinë e Financave vendos për herë të parë detyrimin që kontrata e sigurimit të mbulojë edhe dëmtimin e pronës. Ky kusht rrjedhimisht do të llogaritet edhe në çmimin e primit që qytetarët paguajnë për siguracionin e mjeteve, duke rritur vlerën e tij.

Siguracionet tashmë me ligjin e ri do të jenë sipas sistemit bonus-malus, ku vlera e pagesës nga drejtuesit e mjeteve do të llogaritet në bazë të numrit të aksidenteve dhe vjetërsisë së shoferit.

Po ashtu një tjetër kërkesë e shtuar për drejtuesit e mjetit është edhe bllokimi i lëshimit të kolaudimit në rastin që nuk paraqitet siguracioni i prerë, ndërsa polici i qarkullimit rrugor ka të drejtë ta bllokojë automjetin deri në blerjen e kartonit të sigurimit.  

Pronari i makinës duhet që të mbajë me vete tashmë edhe Raportin Evropian të Aksidenteve, i cili do të shërbejë për përshkrimin e ngjarjes së aksidentit për dëme me vlerë më të vogël se 3 mijë dollarë e do t’i dorëzohet shoqërisë së sigurimit me firmën e të dy palëve të përfshira në aksident.

Projektligji nuk lejon ndryshimin e tarifave nga ana e kompanive më shumë se dy herë në vit, ndërsa kërkon që përpara se të ato të ndryshojnë duhet që 30 ditë përpara të miratohen nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat