Basha paralajmëron për skandale të reja në Qeveri: Retë e zeza do shpërthejnë

Shqipëria

Basha paralajmëron për skandale të reja në Qeveri: Retë e zeza do shpërthejnë

Më: 1 maj 2018 Në ora: 08:28
Lulzim Basha

Muaji maj do të ketë zhvillime të forta politike që do të tronditin qeverisjen. Ky ishte mesazhi që kreu i PDsë, Lulzim Basha i dha deputetëve të tij në mbledhjen e grupit parlamentar ditën e hënë.

Burime nga mbledhja me dyer të mbyllura thanë për “Panorama” se përmes një metafore, Basha informoi deputetët e tij se pritet që në ditët në vijim të shpërthejë një skandal në radhët e qeverisë.

“Retë që kanë nxirë qiellin, do të shpërthejnë shumë shpejt”, mësohet të ketë thënë Basha në mbledhjen me dyer të mbyllura të grupit parlamentar. Sipas kreut të PD-së, përmasat e skandalit të ish-ministrit Tahiri do të përfshijnë sërish qeverinë, ndaj edhe opozita duhet ta vazhdojë aksionin e saj në të gjitha format.

AKSIONI

Burime nga mbledhja me dyer të mbyllura e grupit parlamentar sqarojnë se PD do të vijojë të mbajë një marrëdhënie të kushtëzuar me Parlamentin. Sipas të njëjtave burime, deputetët demokratë do të vijojnë të bojkotojnë komisionet parlamentare me përjashtim të komisionit hetimor për çështjen “Tahiri”.

Gjithashtu, demokratët do të vijojnë të mbajnë një qëndrim të njëjtë edhe në seancat plenare në Parlament, ku dy çështjet kryesore për të cilat do të flitet do të jenë: arrestimi i ish-ministrit Saimir Tahiri dhe lirimi i protestuesve kuksianë të arrestuar. Kreu i PD-së, Lulzim Basha, ka deklaruar gjatë mbledhjes se opozita do të vijojë aksionin e saj brenda dhe jashtë Parlamentit, duke qëndruar fort në këto dy çështje.

Në mbledhjen e grupit parlamentar deputetët janë informuar edhe për faktin se numri i kuksianëve të arrestuar ka shkuar në pesë, pasi Policia ka ndaluar një nga protestuesit, që ishin shpallur në kërkim. Për kreun e PD-së, Lulzim Basha për opozitën është e papranueshme që ish-ministri Tahiri gëzon lirinë, pavarësisht se është dokumentuar në komunikime me grupet kriminale, ndërkohë që protestuesit e Kukësit mbahen në burg, pasi kërkuan një të drejtë njerëzore.

Basha solli në vëmendje edhe qëndrimin që demokratët mbajtën në Kuvendin Kombëtar të PD për protestuesin e Kukësit, duke theksuar se ka një ndjeshmëri të lartë publike për ata qytetarë. Edhe kjo e enjte parlamentare pritet të mos ketë një seancë të qetë, pasi opozita nuk do të lejojë zhvillimin normal të punimeve të Kuvendit. Basha ka udhë- zuar deputetët e tij të bëjnë një opozitë të fortë, për të qëndruar në lartësinë e kërkesës që qytetarët kanë nga opozita.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat