Cilësia dhe standardet e midhjes shqiptare, flet zv.ministri Kristo

Shqipëria

Cilësia dhe standardet e midhjes shqiptare, flet zv.ministri Kristo

Më: 30 prill 2018 Në ora: 14:45
Midhje

Midhjet shqiptare janë të sigurta dhe brenda standardeve për konsum.

Zv.ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Roland Kristo tha sot për ATSH-në, se rezultatet e kontrollit të monitorit të datës 27 prill 2018, konfirmojnë se midhjet që prodhohen në vendin tonë, janë brenda standardeve dhe garantojnë tërësisht siguri konsumi.

“Ka një program rigoroz të analizave të kontrollit të përdyjavshëm për midhjet, që bën ekzaminimin real të sigurisë dhe cilësisë së këtij produkti. Rezultatet e fundit kanë konfirmuar që midhjet tona janë tërësisht të pastra dhe kalimi nga Qendra e Pastrimit i bën midhjet të sigurta për konsum”, deklaroi Kristo.

Zv.ministri theksoi se, ajo për të cilën po punojmë fort, është unifikimi i standardeve sipas Bashkimit Europian, në të gjithë zinxhirin e prodhim- tregtimit të midhjeve, me qëllim hapjen e eksporteve të këtij produkti në tregjet e huaja.

Politikat për prodhim dhe tregtim të sigurt të produkteve, sipas standardeve të sigurisë ushqimore, që tashmë ka përfshirë sektorin blegtoral në të gjithë vendin, do të shtrihet edhe në sektorin e prodhimit të midhjeve.

“Midhjet nuk mund të shiten më me bidona plastik apo mjete të tjera rrethanore. Ato do të pajisen me çertifikatë veterinare dhe ambalazhime konform standardeve të tregtimit”, tha Kristo.

Në industrinë e akuakulturës, midhjet konsiderohen me vlera të madha për ekonominë e vendit.

Shqipëria ka dy pika kryesore për prodhimin e midhjeve- njëra në Butrint dhe tjetra në Shëngjin. Kultivimi i midhjeve në Shëngjin është në hapat e parë të tij, me një prodhim që arrin në përafërsisht 500 ton në vit.

Prodhimi në lagunën e Butrintit është një traditë shumë vjeçare, ndërkohë që vendasit e cilësojnë lagunën si vendin ideal për prodhimin e midhjeve, jo vetëm në aspektin e temperaturës së ujit por edhe në nivelin e duhur të kripës.

Liqeni i Butrintit, me sipërfaqe rreth 1.600 hektarë, numëron aktualisht rreth 78 impiante.

Prodhimi vjetor i midhjes së Butrintit shkon në 15 mijë kv, sasi kjo që shkon kryesisht në tregun vendas.

Prej 20 vitesh, midhja e Butrintit është bllokuar nga tregu europian për shkak të pretendimeve mbi kriteret e mbarështimit. Ndaj dhe të gjitha përpjekjet e ministrisë tani janë orientuar për ta kthyer midhjen në një produkt të standardizuar për tregun e huaj.

Mjaft të kërkuara nga konsumatori vendas dhe i huaj, eksporti i tyre pritet ta kthejë Butrintin në epiqendrën e prodhimit të midhjeve në mbarë Evropën, pasi Butrinti ka potencial akoma edhe më të madh në prodhimin e tyre./ATSH

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat