Ahmetaj: Mbi 11 mijë vende të reja pune

Shqipëria

Ahmetaj: Mbi 11 mijë vende të reja pune

Më: 28 prill 2018 Në ora: 13:06
Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj

Shqipëria është larg skenarit grek dhe ka hyrë në një trajektore rritëse drejt potencialit të saj real.

Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj deklaroi sot gjatë mbledhjes së Asamblesë së Partisë Socialiste se kontributin kryesor në performancën pozitive të ekonomisë shqiptare e ka dhënë konsumi dhe investimet private vendase e të huaja.

Konsumi në 3-mujorin e fundit të vitit 2017, tha ministri Ahmetaj u rrit me 3.14% që përbën edhe rritjen më të madhe ndër vite çka flet artë për rritjen e fuqisë blerëse dhe uljen e varfërisë në vend.

Po ashtu ministri theksoi se në treguesit pozitiv rol kanë luajtur edhe rritja e eksporteve dhe veçanërisht eksportet e shërbime dhe mallrave si dhe turizmi, i cili solli 1.7 miliard euro në ekonominë shqiptare gjatë vitit që lamë pas, ndërsa pritet të kontribuojë me rreth 2 miliard euro këtë vit.

Ministri u ndal edhe tek punësimi që sipas tij, vendet e reja të punës kanë njohur rritje me 35% që prej vitit 2013.

“Janë mbi 200 mijë vende të reja pune dhe nëse i referohemi borderosë së Tatimeve sot kemi 667 mijë vende pune të regjistruara. Ajo që vlen të theksohet është rritja e punësimit në sektorin jo bujqësor”, tha ministri Ahmetaj.

Duke iu referuar raporteve ndërkombëtare mbi punësimin, ministri shpjegoi se Shqipëria është cilësuar si i vetmi vend në rajon ku punësimi i personave të aftë për punë arriti 15%.

Papunësia, shtoi kreu i financave publike shënoi në fund të vitit 2017 nivelin më të ulët historik, 13.4% dhe objektivi ynë, theksoi Ahmetaj është që në fund të mandatit të dytë të ulet në nivel një shifror.

Ministri duke folur për nivelin e pagave, megjithëse se pranoi se ende ka shumë për të bërë për përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve, sipas një raporti të Bankës Botërore rezulton se vendi ynë ka pasur rritjen më të madhe të pagave në rajon.

Ahmetaj foli edhe për rolin e ri të zyrave të punës, ku sipas tij deri në 20 prill janë regjistruar në këto zyra 11 900 vende të lira pune dhe janë punësuar po përmes tyre 6 247 persona.

“Rritja ekonomike e punësimi larguan njerëzit nga varfëria”, deklaroi ai.

Ministri komentoi edhe raportin e progres-raportit për performancën e ekonomisë shqiptare.

“Raport Progresi thotë se kemi kryer kombinimin e duhur të politikave makroekonomike. Rekomandohet vazhdimi i konsolidimit fiskal. Politika fiskale e kujdesshme dhe pse një vit elektoral, reduktoi deficitin buxhetor dhe bëri borxhin publik më të qëndrueshëm”deklaroi ministri Ahmetaj duke iu referuar raportit të KE.

Më tej, ai u ndal edhe në disa nga nismat e fundit që janë reforma e derregullimit, përfshirja e biznesit të vogël në skemën e deklarimit të TVSH-së, si dhe ngritjes së kadastrës fiskale.

Nisma e derregullimit sot është e materializuar me rezultate. Në katër muajt e parë të këtij viti janë 144 mijë vërtetime online nga DPT, 4 mijë ekstrakte online nga QKB dhe 800 mijë printime me vulë elektronike”, theksoi ministri.

Sa i takon deklarimit për herë të parë të TVSH-së nga biznesin me xhiro vjetore 2-5 milionë lekë, ministri u shpreh se nuk ka kosto, nuk rrit çmimin për konsumatorët dhe i shërben rritjes së informalitetit.

“Nga 13.600 biznese të vogla të regjistruara në 2013-n, sot janë të 17 mijë biznese dhe kjo shifër përbën një fakt që rrëzon debatin politik se bizneset po mbyllen për shkak të politikave të qeverisë”, u shpreh ministri.

Ahmetaj tha se po punojmë për ngritjen e kadastrës fiskale, u shpreh ministri, që është në ndihmë të pushtetit vendor.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat