Shqipëria pret samitin e ardhshëm të Brdo-Brijunit

Shqipëria

Shqipëria pret samitin e ardhshëm të Brdo-Brijunit

Më: 27 prill 2018 Në ora: 21:04
Pamje nga samiti

Presidenti i Republlikës, Ilir Meta, mori pjesë sot në Samitin e radhës së Krerëve të Shteteve të Procesit të Brdo-Brijuit, që u zhvillua në Shkup të Maqedonisë. Të ftuar të veçantë në këtë Samit ishin Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk, si dhe Kryeministri i Bullgarisë, Boyko Borisov.

Në fjalën e tij, Presidenti Meta vlerësoi ndër të tjera se, së bashku kemi shfrytëzuar çdo moment për t’u angazhuar në një dialog të drejtpërdrejtë, megjithëqë jo gjithmonë kemi rënë dakord.

Duke iu referuar abicjes së përbashkët të integrimit evropian për krijimin e një klime të besimit reciprok dhe të mirëkuptimit, Presidenti Meta, theksoi gjithashtu se,  fatkeqësisht, në muajt e fundit kemi parë kthim mbrapa tek retorikat dhe veprimet provokuese, të cilat sidoqoftë kanë qenë të izoluara.

Kreu i Shtetit shprehu mbështetjen e ambicjes për integrimin në NATO për të gjitha vendet e rajonit që e aspirojnë dhe nënvizoi se anëtarësimi i Shqipërisë në Aleancën Transatlantike nuk është kundër ndonjë vendi tjetër në rajon, por për të forcuar arkitekturën e sigurisë së rajonit, që ende është i paqendrueshëm.

Gjithashtu, Presidenti Meta shprehu shqetësismin për presionin e intenifikuar nga aktorë jashtë rajonit që shoqërohet me retorikë kundra NATO-s dhe BE-së dhe që synon të destabilizojë rajonin.

Presidenti Meta bëri thirje për një vëmendje dhe angazhim më të madh e të koordinuar të BE dhe NATO-s, në funksion të një perspektive të qartë evropiane, si dhe për një mbështetje efektive politike, ekonomike dhe financiare për ta realizuar këtë perspektivë një një kohë sa më të shkurtër.

Duke u ndalur tek procesi i integrimit evropian, Presidenti Meta theksoi se integrimi i rajonit në BE nuk është vetëm një ambicie e përbashkët por garantuesi më i mirë i paqes, stabiliteti dhe prosperitetit, në interes të rajonit por dhe në interesin më të mirë të vetë Bashkimit Evropian.

Në fund të Samitit, Krerët e Shteteve të Procesit të Brdo-Brijunit të pranishëm miratuan një deklaratë të përbashkët, ku theksuan nevojën e një sinergjie më të madhe në inciciativat rajonale dhe mekanizmat për të ndërtuar një rajon gjithëpërfshirës.

Ata i bënë thirrje gjithashtu BE-së për të vijuar mbështetjen për zhvillimin e integrimit ekonomik ndër-rajonal në mënyrë që të rrisë interesin e tregut rajonal dhe vijuar me rritjen ekonomike.

Samiti i ardhshëm i Procesit të Brdo-Brijunit do të organizohet nga Presidenti Meta në Shqipëri, gjatë vitit 2019.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat