Pragu i TVSH u ul, por rritet tavani i tatim-fitimit

Shqipëria

Pragu i TVSH u ul, por rritet tavani i tatim-fitimit

Më: 27 prill 2018 Në ora: 11:30
Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga ministri i Ekonomisë dhe Financave, Arben Ahmetaj njoftuan nismën e qeverisë për ta rritur këtë tavan në 100 milionë lekë të vjetra/

Bizneset me një xhiro deri në 80 milionë lekë të vjetra në vit, paguajnë aktualisht 5 për qind tatim-fitim, ndërsa mbi këtë shumë, kjo taksë rritet në 15 për qind.

Kjo, sipas Qeverisë, bën që shumë biznese të deklarojnë bilance të rreme, duke deklaruar më pak se 80 milionë.

Për ta luftuar këtë, Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga ministri i Ekonomisë dhe Financave, Arben Ahmetaj njoftuan nismën e qeverisë për ta rritur këtë tavan në 100 milionë lekë të vjetra/

“Nga 5 për qind, në 15 për qind, kjo bën që shumë prej jush gënjejnë me bilancet dhe për të mbajtur kokën nën tavan jetojnë nën stresin e vazhdueshëm të hartimit të bilanceve të rreme. Këtë çështje ne mendojmë se ka ardhur koha ta adresojmë në mënyrë që asnjë biznes i vogël të mos gënjejë. Tavani do të rritet mbi 100 milionë!”, tha Rama.

Qeveria thotë se nuk kërkon që të vjelë para nga biznesi i vogël për të mbushur buxhetin, por kërkon që ta shndërrojë atë në një aleat për të kontrolluar biznesin e madh.

“Me këtë rritje, ju nga gënjeshtarë të ktheheni në aleatë të shtetit për të realizuar qëllimin e gjithë kësaj lëvizjeje, që nuk është për të marrë më shumë lek nga ju për buxhetin, por për të mos lejuar që të mëdhenjtë t’u shmangen detyrimeve të shtetit”, u shpreh Kryeministri.

Këto deklarata u bënë gjatë një takimi të organizuar me përfaqësues të biznesit të vogël.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat