Ambasadori suedez për negociatat: Koha për punë, jo për të rënë në qetësi

Shqipëria

Ambasadori suedez për negociatat: Koha për punë, jo për të rënë në qetësi

Më: 26 prill 2018 Në ora: 21:28
Johan Ndisi

Ambasadori i Suedisë në Shqipëri Johan Ndisi deklaroi se rekomandimi i Komisionit Europian për hapjen e negociatave nuk do të thotë që Shqiptarët të bien në qetësi, por të dyfishojnë përpjekjet përpara takimit të Këshillit të BE-së që mbahet në muajin qershor.

Duke folur për emisionin Diplomaticus të gazetarit Erion Kaçorri, ambasadori suedez thekson se përpara takimit të muajit qershor, kur të takohen vendet anëtare të BE-së, ka shumë gjëra për tu bërë.

“Mendoj se 28 qeveritë Europiane duhet të binden plotësisht prandaj kjo nuk ështe koha për të festuar rreth rekomandimit, por është koha për të dyfishuar përpjekjet për të përfunduar punën e vështirë, për të dhënë rezultate dhe për t’i dëshmuar 28 vendeve anëtare rreth reformave që janë kryer dhe në veçanti e kam fjalën për reformën në drejtësi, po flas për luftën kundër krimit të organizuar, luftën kundër korrupsionit. Kjo është koha e duhur për të dyfishuar përpjekjet, për të rritur aktivitetin dhe për të bërë punën e vështirë” deklaron ambasadori Suedez në Tiranë.

Sipas diplomatit Suedez, nga sot që flasim dhe deri në muajin qershor kur të takohen vendet anëtare të BE-së, shumë gjëra mund të bëhen dhe shumë gjëra nevojiten që të bëhen.

“Tani është koha për të bërë jashtëzakonisht shumë punë dhe për të mos humbur asnjë ditë të vetme, as një javë të vetme përpara takimit në muajin qershor sepse 28 vendet anëtare, 28 ministrat nga këto vende duhet të binden dhe ata mund të binden vetëm kur të shikojnë rezultatet konkrete në fushat që përmenda” deklaron ambasadori Ndisi. Sipas diplomatit Suedez, Shqipëria ka bërë shumë punë, gjë që është shumë e rëndësishme sepse janë vendosur themelet në një sërë fushash.

“Shinat e trenit janë vendosur, tani është me rëndësi që treni të nisë udhëtimin dhe të shkoje në drejtimin e duhur e që shpejtësia të rritet. Pra shumë punë është bërë, por tani duhet bërë edhe më shumë” deklaron ambasadori Ndisi për ‘News 24’.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat