Investimi austriak, shembull në funksionimin e arsimit profesional

Shqipëria

Investimi austriak, shembull në funksionimin e arsimit profesional

Më: 26 prill 2018 Në ora: 17:04
Ilir Meta

Presidenti Ilir Meta vlerësoi sot investimin austriak si një shembull i funksionimit të arsimit profesional në Shqipëri.

Ai zhvilloi një vizitë në shkollën austriake “Peter Mahringer” në Shkodër në kuadër të ditës së dyerve të hapura.

Presidenti Meta u prit nga ambasadori i Austrisë në Shqipëri, Johann Sattler, drejtori i shkollës, Josef Fasching, Konsulli i Nderit të Austrisë, Gjergj Leqejza, trupi pedagogjik dhe nxënësit.

Pasi vizitoi mjediset e shkollës profesionale e përqendruar në informatikë e që ka rreth 340 nxënës, Presidenti i Republikës u njoh me disa nga shpikjet e nxënësve të ekspozuara në ambientet e kësaj shkolle.

Gjithashtu, së bashku me Ambasadorin Sattler, Presidenti Meta nderoi dhe u dorëzoi certifikatat disa nxënësve të shkëlqyer të cilët janë fitues të konkurseve që ka organizuar shkolla.

Meta theksoi se degët që studiohen në këtë shkollë janë me shumë rëndësi për ta sjellë në të ardhmen Evropën në Shkodër dhe në Shqipëri.

“Jam shumë i kënaqur që ndodhem për vizitë në këtë shkollë, në këtë atmosferë pozitive. Dëshiroj t’ju përgëzoj për këtë investim të mrekullueshëm austriak që është materializuar në një shembull të shkëlqyer se si mund dhe duhet të funksionojë arsimi profesional në Shqipëri. Degët që ju studioni dhe që mësohen në këtë shkollë janë jetike dhe më shumë rëndësi për të ardhmen, për ta sjellë Evropën në Shkodër dhe në Shqipëri. Kjo është rruga e duhur për t’u integruar. Gjithashtu kjo shkollë shërben si model frymëzues se si të ndërtojmë shkolla të tilla edhe në zona të tjera të vendit tonë”, tha ndër të tjera Presidenti i Republikës./ATSH

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat