Ruçi takim me homologun hungarez dhe polak, merr mbështetje për integrimin

Shqipëria

Ruçi takim me homologun hungarez dhe polak, merr mbështetje për integrimin

Më: 25 prill 2018 Në ora: 15:27
Gramoz Ruci ne takimin me homologun hungareze dhe polak

Në vijim të takimeve në kuadër të axhendës evropiane të Shqipërisë, Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi zhvilloi një takim në Estoni me Kryetarin e Asamblesë Kombëtare të Hungarisë László Kövér dhe me Marek Tadeusz Kuchci?ski Kryetar i Sejmit të Polonisë.

Gjatë takimit me homologun hungarez, u vlerësuan marrëdhëniet shumë të mira politike ndërmjet dy vendeve. Për këtë Ruçi u shpreh se Hungaria ka qenë dhe mbetet një nga vendet anëtarë të BE-së e cila mbështet fuqimisht procesin e integrimit të Shqipërisë.

Kryetari i Asamblesë Kombëtare të Hungarisë László Kövér u shpreh gjatë takimit se Hungaria ashtu si edhe më parë, vijon të mbështesë integrimin evropian të Shqipërisë. Kövér u ndal gjatë takimit edhe në intensifikimin dhe bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve edhe në fusha të tjera, duke u shprehur se krahas rritjes së shkëmbimeve tregtare, turizmi mbetet një nga sektorët që ofron mundësi të shumta për turistët hungarezë si edhe për investitorët që duan të investojnë në këtë sektor. Për këtë,  Kövér u shpreh se: “Të dyja palët janë të gatshme të intensifikojnë më tej dialogun politik nëpërmjet vizitave në nivelet më të larta si një kontribut i rëndësishëm në forcimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe intensifikimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në fushat me interes të ndërsjellët”.

Pjesë e takimit u bë edhe premtimi i palës hungareze për mbështetjen e anëtarësimit të Kosovës në INTERPOL dhe në Këshillin e Evropës.

Në takimin me Marek Tadeusz Kuchci?ski, Kryetar i Sejmit të Polonisë, Ruçi e informoi homologun e tij për procesin e reformës në drejtësi që është duke ndërmarrë vendi. Ruçi u shpreh se zbatimi i elementit kyç të reformës në drejtësi që është ligji për Vetting-un, po bën të mundur verifikimin e rreth 800 gjyqtarëve dhe prokuroreve dhe se për të garantuar një proces sa më transparent, Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit ka shpërndarë ekspertizën e tij të kualifikuar që do të shoqërojë këtë proces.

Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë tha gjithashtu se zbatimi i reformës në drejtësi është një rrugëtim i vështirë, por i vendosur edhe në kuadër të përmbushjes së rekomandimeve të Bashkimit Evropian për fillimin e negociatave për anëtarësim. “Nuk është një rrugë e lehtë, por zgjidhja jonë është e forte. Ne mbështetemi në shtetet anëtare të BE-së për të na shoqëruar dhe mbështetur në këtë udhëtim të vështirë”,- u shpreh Ruçi.

Pjesë e bisedës ishte dhe pjesëmarrja e Polonisë në nismat rajonale në Ballkan ku Ruçi e falënderoi homologun Kuchci?ski për ndihmën dhe praninë e Polonisë në Kosovë si pjesë e operacioneve të KFOR-it duke shprehur dëshirën dhe angazhimin e palës shqiptare për një intensifikim të mëtejshëm të marrëdhënieve të Polonisë dhe Kosovës.

Përsa i përket bashkëpunimit ekonomik, në takim u theksua nevoja e rritjes së këtij bashkëpunimi ku Shqipëria ofron për mjaft mundësi për investitorët polakë si në turizëm, bujqësi, agro-përpunim, transport dhe energji.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat