“Ka fituar 315 tendera”/ Safet Gjici paralajmëroi se do ta padisë, ja si i përgjigjet deputeti Salianji

Shqipëria

“Ka fituar 315 tendera”/ Safet Gjici paralajmëroi se do ta padisë, ja si i përgjigjet deputeti Salianji

Më: 25 prill 2018 Në ora: 11:38
deputeti i PD Ervin Salianji

Për të dytën ditë radhazi, deputeti i PD Ervin Salianji ka akuzuar Safet Gjicin se ka mashtruar me tenderat publikë. Sipas Salianjit, “Gjici ka fituar 315 tendera, 25.2 milionë dollarë, për llogari të fushatave elektorale të Edi Ramës”.

Por pas këtyre akuzave, ish-prefekti dhe i deleguari i PS në Qarkun e Kukësit, Safet Gjici, ka paralajmëruar një padi ndaj deputetit demokrat Salianji.

Ky i fundit tha sot në deklaratën për mediat se Gjici “kërcënoi me drejtësinë e re të Edi Ramës, i cili e ka bërë supermilioner me paratë e shqiptarëve”.

Deklaratë e deputetit të Partisë Demokratike

Safet Gjici nuk dha dje asnjë përgjigje përse ka kryer veprën penale të mashtrimit me tenderat publike, por kërcënoi me drejtësinë e re të Edi Ramës, i cili e ka bërë supermilioner me paratë e shqiptarëve.

Dokumentat e paraqitura nga Partia Demokratike tregojnë qartë se tenderat janë fiktive, se në tender merr pjesë vetëm Gjici, me dy kompanitë e tij kundër njëra- tjetrës dhe fiton njëra prej tyre, pra fiton Gjici.

Dy kompanitë, me të cilat drejtuesi politik i Ramës në Kukës thotë se nuk ka lidhje, quhen:

1. EUROGJICI SECURITY shpk dhe ka përfituar 250 tendera, me vlerë 21.3 mln dollarë, nga të cilat 143 pa garë me vlerë 3 milion dollarë dhe aktualisht është e vëllait të tij

2. TONI SECURITY shpk, ka përfituar 65 tendera, me vlerë 3.8 mln dollarë, nga të cilat 28 pa garë, me vlerë 709 mijë dollarë. Toni është emri i djalit të Safet Gjicit.

Këto dy kompani, që “konkurojnë” fiktivisht kundër njëra-tjetrës, kanë të njëjtën adresë fizike, të njëjtën adresë e-mail-i. Nga ekstraktet historike vërtetohet se, të dyja shoqëritë zotërohen nga i njëjti person (Gjici), pasi:

1. Adresa fizike e selisë është e njëjtë, konkretisht: Rruga “Adem Jashari”, Njesia Bashkiake nr.5, Lagjja nr.8, hyrja nr.10, apartamenti nr.3, Tiranë (i njëjti apartament)

2. Adresa elektronike është e njëjtë: [email protected]

25.2 milion dollarët e përfituar nga Gjici nëpërmjet dy kompanive të tij, i janë dhënë duke prishur garën në tendera, duke falsifikuar dokumenta zyrtarë dhe duke i shkaktuar shtetit dëme me miliona Euro. Shkeljet janë të faktuara nga dokumentat e publikuara nga ne, dhe prokuroria duhet të nisë menjëherë hetimin për të çuar para përgjegjësisë penale abuzuesit e miliona Eurove.

Edi Rama që po zhvat qytetarët kuksianë për të kaluar “Rrugën e Kombit” dhe nuk ka ndërmend t’i lërë ata të kalojnë falas në rrugën e ndërtuar edhe me taksat e tyre, i tall kuksianët me premtime për abone, ndërsa kuksianit Gjici, me të cilin blen vota për të ruajtur pushtetin, i jep 25.2 milionë dollarë.

Skema e përdorur nga Gjici në mashtrim të plotë të ligjit, përbën vepër penale për të cilën prokuroria duhet të nisë hetim të plotë.

Krijimi i kompanive fiktive, prishja e barazisë në tendera, falsifikiki i garës si mbulesë që Gjici të konkurojë me veten e të përfitojë miliona dollar, janë shkelje që meritojne hetim te plote per Gjicin dhe pronarin e tij Rama.

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat