Veliaj në panikun e rikandidimit? Premton financim për rrugën nacionale Kombinat-Plepa

Shqipëria

Veliaj në panikun e rikandidimit? Premton financim për rrugën nacionale Kombinat-Plepa

Më: 25 prill 2018 Në ora: 11:31
Erion Veliaj

Ka habitur kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj me një deklaratë në “5 pyetje nga Babaramo”, kur premtoi se vetë ai do të negociojë me disa banka ndërkombëtare për financimin e projektit të rehabilitimit të rrugës “Kombinat-Plepa”, një aks nacional i braktisur prej dekadash.

“Kemi folur me disa banka zhvillimi ndërkombëtare për mundësinë e financimit të ribërjes të rrugës nga Kombinati në Plepa. Rruga Kombinat –Plepa është një rrugë nacionale, ka ardhur nevoja që edhe shtresat të rishihen dhe ndoshta te kemi më shumë zgjerim. Jemi duke folur me FSHZH dhe ARRSH që të fillojmë edhe aty një investim” u shpreh kryetari i Bashkisë së Tiranës.

Burime pranë Autoritetit Rrugor Shqiptar thanë se është e vërtetë se projekti për rehabilitimin e rrugës Kombinat-Plepa është gati që në vitin 2010, por nuk është zbatuar për shkak të mungesës së financimit.

Por projekti dhe financimi janë ekskluzivitet i ARRSH-së dhe qeverisë. Bashkia, në rastin e financimit të rrugëve nacionale nuk ka asnjë lidhje, por në përpjekje për të shpikur punë të mëdha dhe investime të paqëna, Veliaj nuk e ka problem ta përvetësojë financimin e projektit si meritë të tij.

Deklarata nuk vjen vetëm si premtim për banorët e fshatrave, që dolën në protestë dy muaj më parë për amortizimin e segmentit rrugor. Eshtë koha kur Edi Rama duhet të ulet dhe të marrë një vendim, nëse do ta rikandidojë për të dytën herë Veliajn në Tiranë apo jo, ndaj thagma si këto, janë shenjat e para të panikut që ka kapur kryebashkiakun.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat