Përdorni ofertat në telefon? AKEP urdhër kompanive celulare, ja ç’do ndodhë nga 1 qershori

Shqipëria

Përdorni ofertat në telefon? AKEP urdhër kompanive celulare, ja ç’do ndodhë nga 1 qershori

Më: 25 prill 2018 Në ora: 10:19
Ilustrim

Nga 1 qershori i 2018-s, kompanitë celulare në vend duhet të kthejnë kohëzgjatjen e vlefshmërisë së paketave tarifore celulare me parapagim nga 28 ditë në 30 ditë. Është ky vendimi i marrë nga AKEP në përfundim të procedurës administrative, të nisur nga ky institucion më 26 mars të këtij viti.

AKEP njoftoi dje se pas një analize të plotë dhe të argumentuar për të vlerësuar nëse ka efekte negative për konsumatorin, zbatimi i kohëzgjatjes 28-ditore i paketave tarifore celulare nga 30- ditore që ka qenë më parë, ka urdhëruar kompanitë celulare për vlerësimin e ndryshimit të kohëzgjatjes së vlefshmërisë së paketave tarifore celulare me parapagim nga 28 ditë rikthimin e paketave mujore 30 ditë.

Ky proces u realizua nga AKEP, në bashkëpunim me Autoritetin e Konkurrencës dhe rivendosja e kohëzgjatjes së vlefshmërisë së paketave tarifore celulare me parapagim nga 28 ditë, në mujore, siguron aplikimin e tarifave për shërbimet e ofruara në përputhje me ligjin nr. 9918, datë 19.05.2008 “Për komunikimet elektronike në Republikën e Shqipërisë” të ndryshuar, si dhe garanton trajtimin e barabartë të pajtimtarëve, sipas njoftimit zyrtar të AKEP.

Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare ka bërë një vlerësim të efektit financiar në dëm të konsumatorëve nga ndryshimi i kohëzgjatjes së paketave. Sipas kësaj analize, ka rezultuar se qytetarët faturoheshin 869 lekë më shumë.

“Duke analizuar efektin financiar të ndryshimit të periudhës së faturimit nga 30-ditore në 28-ditore, rezulton se ndryshimi i afatit në paketat tarifore standarde me parapagim nga 30-ditore në 28-ditore nga operatorët e shërbimeve mobile ka sjellë efekte te përdoruesit, të cilët kryejnë rimbushje në mënyrë të vazhdueshme përgjatë periudhës vjetore, pa përjashtuar edhe efektet që mund të shkaktohen te përdoruesit e tjerë të shërbimeve me parapagesë të këtyre paketave.

Po të marrim si shembull rimbushjen e një pakete shërbimi bundle me vlerë 1,000 lekë, nëse në rastin e faturimit 30-ditor përdoruesi do të paguante 12,167 lekë në vit, me ndryshimin e ri, tashmë ai do të faturohet 13,075 lekë në vit, pra, rreth 869 lekë më shumë”, citohet në vendimin e AKEP.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat