Dosja nr2 e skandalit të "Gulf", hetohet shpërthimi ku u plagosën 3 vetë

Shqipëria

Dosja nr2 e skandalit të "Gulf", hetohet shpërthimi ku u plagosën 3 vetë

Më: 25 prill 2018 Në ora: 08:06
Gulf

Hetimi i drejtuesve të kompanisë së naftës “Gulf” nuk përbën rastin e parë të kësaj firme, që tregton hidrokarbure prej katër viteve në Shqipëri.

Një dosje e dytë ku po hetohet kjo kompani më shumë se një vit nga prokuroria e Tiranës, bën fjalë për një ngjarje në një prej pikave të karburantit që kjo kompani menaxhonte.

Çështja që po hetohet nga prokurori Ervin Karanxha, bën fjalë për një shpërthim në njërën prej depozitave të benzinës së këtij karburanti, shpërthim i cili ka sjellë plagosjen e tre personave, të cilët ishin duke qëndruar në ambjentet e barit të këtij karburanti.

Sipas burimeve nga prokuroria e kryeqytetit, ngjarja është rregjistruar në muajin shkurt 2017, në një nga karburantet e “Gulf” në zonën e Kasharit, kur depozita e benzinës ka shpërthyer, e për pasojë janë plagosur tre persona, emrat e të cilëve nuk bëhen të ditur nga prokuroria e Tiranës.

Ngjarja në atë periudhë u mbajt e fshehur, ndërkohë nga ana tjetër prokuroria e Tiranës nisi hetimet për të mësuar shkaqet reale të kësaj ngjarje, që për fakt nuk përfundoi në tragjedi. Prej më shumë se një viti hetimi është përqëndruar në marrjen e dëshmive të punonjësve të kësaj pike karburanti dhe administratorëve të kompanisë.

Deklarime kanë dhënë dhe punonjësit e sigurisë së kompanisë “Gulf”, të cilët i kanë qëndruar versionin se raste të tilla shpërthimi ndodhin në depozitat e benzinës, për shkak të akumulimit të madh të gazrave që shkaktohen nga avujt.

Por për të marrë një përgjigje sa më teknike dhe shkencore, prokuroria e Tiranës ka kërkuar kryerjen e një ekspertimi teknik, për të mësuar se çfarë ka ndodhur realisht në depozitat e benzinës së karburantit të “Gulf” në zonën e Kasharit.

Eksperti i caktuar ka referuar në prokurori përgjigjet e ekspertimit, duke pohuar se shpërthimi i depozitës së benzinës ka ardhur si rezultat i tejmbushjes me avull, çka ka sjellë eksplozionin. Por prokuroria njëherësh ka kërkuar dhe një mendim të një eksperti të dytë, i cili ende nuk i ka referuar konkluzjonin përfundimtar, për sa i përket shkaqeve të këtij shpërthimi që çoi në plagosjen e tre personave në Kashar dhe që fatmirësisht situata nuk u përshkallëzua me dëmtime të tjera, veç atyre materiale.

Burime pranë prokurorisë së Tiranës i thanë gazetës “Shqiptarja.com” se janë në pritje të konkluzjoneve të ekspertit të dytë, i cili është ngarkuar të nxjerë dhe dëmin e shkaktuar tre të plagosurve. Pas njohjes me përgjigjen e ekspertimit, burimet thonë se do marrin një vendim për këtë çështje nëse ngjarja do cilësohet si aksident teknologjik apo do të proceduhet me persona të pandehur.

Mirëpo tashmë kompania e naftës “Gulf” ka shpallur falimentin duke, ndalur të gjithë aktivitetin tregtar. Madje dhe punonjësit e kësaj firmë tashmë kanë mbetur mes katër rrugëve të papunë dhe të papaguar, por që nuk është çudi që ndonjëri prej tyre mund të vihet në ndjekje penale nga prokuroria e Tiranës, për ngjarjen e shpërthimit te depozitave të benzinës në pikën e karburantit në zonën e Kasharit./Shqiptarja.com

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat