Dyshimet për gjyqtaren Altina Xhoxhaj, avokatja sqaron kush ia dhuroi apartamentin 100 m/2

Shqipëria

Dyshimet për gjyqtaren Altina Xhoxhaj, avokatja sqaron kush ia dhuroi apartamentin 100 m/2

Më: 24 prill 2018 Në ora: 10:26
Altina Xhoxhaj

Një ditë pas seancës dëgjimore në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, gjyqtarja e Kushtetueses, Altina Xhoxhaj ka reaguar përmes avokates së saj, Shehi, e cila në një deklaratë për mediat thotë se është publikuar një informacion jo i saktë sa i takon raportit të KPK-së për pasurinë e klientes së saj.

“Është me vend të qartësohet se bazuar në të dhënat, dokumentet dhe shpjegimet e administruara nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, pasuria e vetme që ka blerë me të ardhurat e saj anëtarja e Gjykatës Kushtetuese, Altina Xhoxhaj, pas 24 vjetësh punë është vetëm gjysma e një apartamenti prej 59 m2 të ndodhur në Ishëm të Durrës dhe gjysma e truallit përkatës prej 220 m2 nën dhe rreth këtij apartamenti”, thuhet në reagimin e avokates.

Në lidhje me apartamentin që KPK thotë se nuk justifikohet, avokatja thotë se kjo pronë është e shlyer plotësisht nga bashkëjetuesi i gjyqtares Xhoxhaj, i cili gjithashtu është subjekt i ligjit për deklarimin e pasurive.

“Pasuria apartament prej 100 m2, që ndodhet në një zonë jo preferenciale të Tiranës është shlyer plotësisht nga Bashkëjetuesi, i cili si subjekt i ligjit për deklarimin e pasurive ka deklaruar dhe provuar burimin e të ardhurave me deklarimet e bëra nisur nga viti 2003”, thuhet në reagim.

Përmes avokates, gjyqtarja Xhoxhaj thotë se në momentin që është regjistruar kjo pronë, në vitin 2011, ajo ka përfituar bashkëpronësinë e dhuruar nga bashkëjetuesi me të cilin ka dy fëmijë.

Në reagim flitet edhe për llogaritë bankare, që KPK tha një ditë më parë se nuk justifikoheshin.

“Të ardhurat e Altina Xhoxhaj, gjatë viteve 2003-2016 kanë qenë në shumën 23,489,113 Leke dhe të ardhurat e Bashkëjetuesit e saj, vetëm për vitet 2003-2016, janë në shumën 25,426,907 Lekë; këto të ardhura, bashkë me të ardhurat e gjeneruara nga të dy bashkëjetuesit para vitit 2003 kanë mbuluar investimet e mësipërme dhe kursimet në formën e depozitës së deklaruar nga Zj. Xhoxhaj ne shumen ~ 30.000 USD”, thotë avokatja.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat