Fshesa e Vetingut/ Paratë e gjyqtares të dyshimta, mbyllet Gjykata Kushtetuese

Shqipëria

Fshesa e Vetingut/ Paratë e gjyqtares të dyshimta, mbyllet Gjykata Kushtetuese

Më: 24 prill 2018 Në ora: 08:35
Ilustrim

Zbatimi i ligjit të Vetingut çon në mbylljen e gjykatës së parë dhe më të rëndësishmes në Shqipëri. Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, organi më i lartë gjyqësor në Shqipëri që zgjidh mosmarrëveshjet kushtetuese, që bën interpretimin përfundimtar të Kushtetutës dhe që thotë fjalën e fundit për kushtetutshmërinë e ligjeve dhe marrëveshjeve, nuk do të funksionojë më.

Me goditjen e anëtares Altina Xhoxhajt nga veprimi i ligjit të Vetingut, Gjykata Kushtetuese mbetet me tre anëtarë, në pamundësi për t’u mbledhur dhe për të marrë vendime. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, organi bazë i Vetingut, pas konstatimit të pasurisë së paligjshme, pritet që të zyrtarizojë brenda kësaj jave përjashtimin e zonjës Altina Xhoxhaj nga sistemi i drejtësisë.

Ky vendim i paralajmëruar ditën e djeshme çon në bllokimin përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese. Me largimin e pritshëm të anëtares Altina Xhoxhaj, Gjykata Kushtetuese mbetet me katër anëtarë, konkretisht Bashkim Dedja, Vitore Tusha, Fatmir Hoxha dhe Gani Dizdari. Por, anëtares Vitore Tusha, e vetmja gjyqtare që deri më sot i ka shpëtuar lakut të Vetingut, i ka mbaruar mandati.

Zonja Tusha është emëruar në Gjykatës Kushtetuese në mars 2008, ndërkohë që sipas Kushtetutës mandati i anëtarit të Gjykatës Kushtetuese është 9 vjet. Gjithashtu, është ndaluar me ligj që anëtari i Gjykatës Kushtetuese të emërohet për një mandat të dytë.

Në këto kushte, Gjykata Kushtetuese ka vetëm tre anëtarë me mandat të ligjshëm, anëtarë të cilët nuk dihet nëse do t’i shpëtojnë skanimit të trefishtë të Vetingut. Kushtetuesja përbëhet nga 9 anëtarë, dhe që kjo gjykatë të mblidhet dhe të marrë vendime, duhen të paktën 5 anëtarë.

Rënia e Kushtetueses
Po si u zhbë Gjykata Kushtetuese? Anëtari Besnik Imeraj dha dorëheqjen për t’i shpëtuar procesit të Vetingut. Edhe anëtari tjetër, Fatos Lulo mbeti në rrjetën e Vetingut, për shkak të mosjustifikimit të pasurisë. Pas tyre, edhe Altina Xhoxhaj është një hap larg shkarkimit. I pyetur për këtë fenomen të paralajmëruar, ambasadori amerikan në Tiranë, Donald Lu ka theksuar se është më mirë një drejtësi pa gjyqtarë se sa një drejtësi me gjyqtarë dhe prokurorë të korruptuar.

Ndërkaq, anëtarët e Gjykatës Kushtetuese kanë një pasuri modeste në raport me anëtarët e Gjykatës së Lartë, anëtarët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, gjyqtarët e Gjykatave të Apelit dhe një pjese të prokurorëve, çka do të thotë se në vijim të procesit të Vetingut, spastrimet pritet të jenë edhe më të bëhen edhe më masive dhe radikale

Zëvendësimi i pamundur
Ka një debat sa i takon mundësisë së plotësimit të vendeve vakante në Gjykatën Kushtetuese. Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ka vendosur të hapë procedurën e zgjedhjes së dy anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Por, me futjen në fuqi të ligjeve të reformës në drejtësi, anëtarët e rinj të gjykatës duhet të kenë kaluar më parë Vetingun.

Ndërkaq, organet e Vetingut kanë përparësi të tjera dhe jo kandidatët që kanë aplikuar për dy vende bosh në Gjykatën Kushtetuese. Kur kandidatët të kalojnë procesin e Vetingut, ata duhet të kalojnë nga KED, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi.

Më pas, Kuvendi zgjedh gjyqtarin e Gjykatës Kushtetuese me jo më pak se tri të pestat e të gjithë anëtarëve të tij. Nëse Kuvendi nuk zgjedh gjyqtarin brenda 30 ditëve nga paraqitja e listës nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, kandidati i renditur i pari në listë shpallet i emëruar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat