Historia e errët e zjarrit në Kashar, fabrika e riciklimit kishte muaj pa paguar punonjësit

Shqipëria

Historia e errët e zjarrit në Kashar, fabrika e riciklimit kishte muaj pa paguar punonjësit

Më: 23 prill 2018 Në ora: 16:07
Fabrika

Disa vatra zjarri vijuan të jenë aktive edhe gjatë ditës së hënë në fabrikën e riciklimit të mbetjeve në zonën e Kasharit.

Ndërkohë që hetimet ende nuk kanë përcaktuar shkakun që shkrumbroi fabrikën, tymra të rrezikshëm vijojnë të çlirohen në mjedis duke u kthyer në rrezik për shëndetin e banorëve të zonës.

Një nga aksionerët e "Everest", fabrikes që u dogj të dielën, Vullnet Haka tha se po pret rezultatin e hetimeve.

Përfaqësuesit e kompanisë, tymi i së cilës dje ndoti gjithë Tiranën pretendojnë se zjarri mund të jetë shkaktuar nga luhatjet e tensionit të energjisë elektrike.

Një ditë më parë përgjegjësit e zjarrfikësve treguan se "Everest" kishte një histori të gjatë me shkeljen e rregullave të sigurisë ndaj zjarreve.

Kompania ishte gjobitur disa herë, ndërsa edhe më parë kishte patur probleme me zjarret dhe kjo nuk mjaftoi për të rritur masat e sigurisë. As sistemi antizjarr nuk funksionoi.

Të hënën, përveç ekspertëve, në gërmadhen e fabrikës së riciklimit u paraqitën edhe disa punonjës, këtë herë jo për të punuar si çdo ditë, por për të kërkuar paratë e tyre.

Disa prej punonjësve thanë jashtë kamerave se kanë disa muaj pa marrë rrogat, e si të mos mjaftonte kjo tani ata kanë mbetur edhe pa punë.

Ndërkohë, mësohet se fabrika e riciklimit rezulton të jetë e siguruar pranë kompanive të sigurimit. Flakët e saj të dielën kërcënuan edhe bizneset pranë, por zjarrfikësit mundën të mbajnë larg zjarrin.

Burime policore thanë se nuk përjashtohet as pista e zjarrvënies së qëllimshme, megjithatë zbardhja e saj është tejet e vështirë për shkak të shkatërrimit të çdo prove.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat