Tusk nis të martën nga Tirana turin 3 ditor ballkanik

Shqipëria

Tusk nis të martën nga Tirana turin 3 ditor ballkanik

Më: 23 prill 2018 Në ora: 12:52
Donald Tusk

Të martën Presidenti i Këshillit Evropian Donald Tusk do ta nisë turin e tij tre ditor në Ballkan nga Tirana për të vazhduar në  Podgoricë, Beograd, Sarajevë dhe Shkup. Qëllimi kryesor i udhëtimit është të përgatitet për Samitin BE-Ballkani Perëndimor në Sofje më 17 maj dhe për të marrë pjesë në samitin e Brdo-Brijunit në Shkup.

Mesazhin që do të përcjellë Presidenti Tusk e përmendi edhe në fjalimin e tij në  Parlamentin Europian.

“Mesazhi për miqtë tanë është i qartë: Bashkimi Evropian është dhe do të vazhdojë të jetë partneri më i besueshëm për të gjithë rajonin. Si investitori më i madh, donatori më i madh, tregu më i madh tregtar dhe premtimi më i mirë për një të ardhme më të mirë për qytetarët Samiti ynë duhet të ripohojë perspektivën evropiane të rajonit dhe, më e rëndësishmja, duhet të përmirësojë, në terma konkretë, lidhjet me dhe brenda rajonit”.

Gjatë vizitës së tij në rajon Presidenti Tusk do të takohet me Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, Kryeministrin e Malit të Zi Duško Markoviç, Presidentin serb Aleksandar Vuçiç, Presidentin e Kosovës Hashim Thaçi, anëtarët e Presidencës së Bosnje dhe Herzegovinës Dragan Çoviç, Mlladen Ivaniç dhe Bakir Izetbegoviç si dhe kryeministri i ish Republikës Jugosllave të Maqedonisë, Zoran Zaev.

Të gjitha këto takime do të jenë raste të rëndësishme për t’u përgatitur për takimin e ardhshëm me krerët e shteteve ose qeverive të BE-së dhe udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor në Sofje më 17 Maj. Do të jetë gjithashtu një mundësi për të diskutuar marrëdhëniet dypalëshe me Bashkimin Evropian.

Presidenti Tusk do të përfundojë udhëtimin e tij në Shkup ku ai do të marrë pjesë në samitin Brdo-Brijuni. Objektivi kryesor i këtij procesi është mbledhja e të gjithë presidentëve nga rajoni i Ballkanit Perëndimor, si dhe Sllovenia dhe Kroacia për të forcuar dialogun politik, për të rritur nivelet e besimit dhe për të promovuar zgjidhjen e çështjeve dypalëshe dhe rajonale të pazgjidhura.

Edhe kryeministri Edi Rama ka parashikuar në axhendën e takimeve ndërkombëtare një vizitë në Gjermani ditën e enjte ku do të pritet nga kancelarja Angela Merkel.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat