Fieri për herë të parë me qendrën e hemodinamikës për t’ju përgjigjur në kohë urgjencave kardiake

Shqipëria

Fieri për herë të parë me qendrën e hemodinamikës për t’ju përgjigjur në kohë urgjencave kardiake

Më: 23 prill 2018 Në ora: 08:34
Ogerta Manastirliu

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu inspektoi spitalin rajonal të Fierit ku pa nga afër investimet në infrastrukturë dhe pajisje biomjekësore në këtë spital.

“Në spitalin e Fierit kanë ndodhur ndryshime radikale në infrastrukturë dhe në pajisje biomjekësore. Sapo është instaluar grafia e re, grafia e lëvizshme dhe një set pajisjesh të tjera do të jenë pjesë e spitalit rajonal të Fierit, duke garantuar një shërbim më cilësor për pacientët. 975,000 euro është vlera e investimit në aparatura në spitalin e Fierit këtë vit. Por jo vetëm ne Fier, ne po investojmë në fuqizimin e spitaleve rajonale në të gjithë vendin, ku do të instalohen aparatura të reja të teknologjisë së lartë me vlerë 4.5 milion euro”, tha Manastirliu.

Ministrja lajmëroi dy shërbime të reja që do t’i shtohen spitalit të Fierit.

“Ne do të ngremë për herë të parë në Fier qendrën e hemodinamikës për t’ju përgjigjur në kohë urgjencave kardiake me metodat më të avanacuara dhe për këtë siç e pamë, është gati projekti për vendosjen e angiografit në këtë spital brenda qershorit. Gjithashtu do të ndërtojmë në këtë spital qendrën e kemioterapisë për të sëmurët me tumore, të cilët nuk do të kenë më nevojë të vijnë në Tiranë për këtë shërbim”, tha Manastirliu.

E pyetur nga gazetarët në lidhje me listën e re të barnave të rimbursueshme, Manastirliu tha se “lista e barnave të rimbursueshme e miratuar nga Qeveria, përfshin 36 barna të reja,  që trajtojnë diagnoza si, forma të ndryshme të leucemisë, kancer të pulmonit si dhe për herë të parë përfshin barna për diagnoza të patrajtuara më parë si demenca dhe alzheimer”.

Ministrja shtoi se lista e re e barnave përveç barnave për semundje të rënda përmban dhe barnat për sëmundjet kronike si hipertension, trajtimin e Hepatitit C, për trajtimin e sëmundjeve kardiovaskulare, neurologjike, psikiatrike etj.

“Një lajm i mirë është padyshim përfshirja në listen e rimbursimit e një formedoze të re të medikamentit Herceptine (subcutane), për trajtimin e kancerit të gjirit. Është një premtim i mbajtur: Nuk do të ketë më mungesa për trajtimin me herceptine të grave që vuajnë nga tumori i gjirit me futjen e këtij bari në LBR si dhe me kontratën e posaçme të lidhur mes MShMS dhe prodhuesit të autorizuar na ka lejuar që të mbulojmë trajtimin me këtë bar për të gjitha gratë me tumor të gjirit që kanë nevojë për këtë medicament”, theksoi Manastirliu./Atsh

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat