Zhvlerësimi i euros, kush po nxjerr fitime

Shqipëria

Zhvlerësimi i euros, kush po nxjerr fitime

Më: 22 prill 2018 Në ora: 08:14
Ilustrim

Tre janë përfituesit e mëdhenj ndaj zhvlerësimit të valutës në vend, sipas Arben Shkodrës, Sekretar i Përgjithshëm i Bashkimit të Prodhuesve Shqiptarë:

-Së pari, importuesit, të cilët blejnë në valutë dhe shesin në lek, duke mos reflektuar asnjë ndryshim në çmimet. Nga kjo situatë, ato përfitojnë shuma të konsiderueshme dhe janë përfitues pasivë pa bërë asnjë lloj veprimi. Natyrisht nuk mundemi kurrsesi t’i paragjykojmë pasi kjo është veçse një situatë e favorshme për to, shton Arben Shkodra për “Monitor”.

Përfituesi i dytë, sipas zotit Shkodra, është qeveria, ku gjithashtu në mënyrë pasive përfiton në uljen e shifrave të borxhit të huaj për shkak të zhvlerësimit të valutës në vend. “Në çdo rast është i papranueshëm ky rol i përfituesit pasiv i qeverisë në këtë situatë për një kohë kaq të gjatë”.

Së treti, përfitues janë spekulantët e tregjeve valutore. Nëse do të kemi një ringritje të shpejtë, spekulantët, të cilët kanë edhe informacion të brendshëm do të përfitojnë tej mase. “Nëse do të kemi një rritje të shpejtë, do të të spekulojnë pasi mund të kenë shitur valutën me një çmim të lartë, e blenë atë me çmimin minimal dhe presin ringritjen për të pasur fitime të konsiderueshme. Në këtë aspekt pasiviteti, paaftësia apo mosndërhyrja e sistemit tonë shtetëror për të stabilizuar ndihmon spekulimet”.

Banka e Shqipërisë dhe Qeveria, duhet veprojnë menjëherë për të ndaluar këtë fenomen të zhvlerësimit të euros dhe dollarit në vend, rekomandon ai.

Për zhvlerësimin e euros në vend, Arben Shkodra thotë për “Monitor” se një ndër arsyet kryesore janë prurjet nga ekonomia e zezë, dhe për këtë, sipas tij, nuk ka dyshime. Ndërkohë që masat të cilat mori Banka e Shqipërisë, nën siglën e një plani veprimi për deeuroizimin e tregut, sollën një situatë kaotike, shoqëruar edhe me sjellje të çrregullta në treg, nën ndikimin psikologjik.

Sipas Shkodrës, jemi ndër të paktat ekonomi që përqafuan monedhën e përbashkët europiane shumë më shpejt sesa duhet, dhe kjo sipas tij jo për shkak të tregut, por për shkak të sistemit të ngritur.

Nga shitblerjet më komplekse, si apartamentet dhe makinat, te pagesat e hoteleve, dhe deri te dyqanet e veshjeve, monedha e përbashkët përdoret lehtësisht.

“Për mendimin tonë, qeveria mund të fillonte procesin e deeuroizimit duke ndaluar shitblerjen e apartamenteve në monedhën e huaj, të ndalonte pagesat në hotele në euro në cash, të mos lejojë shitjet e produkteve në valutë”,- tha Shkodra duke argumentuar se mund të gjendeshin mënyra të tjera për deeuroizimin e ekonomisë. Madje mënyra që do të sillnin deeuroizimin e Shqipërisë në mënyrë më graduale.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat