Kotzias optimist se marrëveshjet me Shqipërinë mbyllen në maj

Shqipëria

Kotzias optimist se marrëveshjet me Shqipërinë mbyllen në maj

Më: 21 prill 2018 Në ora: 22:55
Nikos Kotzias dhe Ditmir Bushati

Mediat greke raportojnë se ministri i Jashtëm grek, Nikos Kotzias, është shprehur shumë optimist për sa i përket bisedimeve me Shqipërinë.

Në një intervistë për “Ta Nea”, Kotzias theksoi se deri në fund të muajit maj do të mbyllen të gjitha marrëveshjet me Shqipërinë.

Ministri i Jashtëm grek përsëriti dhe njëherë se në bisedimet me palën shqiptare nuk është diskutuar asnjëherë për çështjen çame pasi Athina nuk e pranon atë.

Ndërsa për sa i përket pronave që pretendohen nga komuniteti çam, Kozias tha se ato i mbeten shtetit grek deri në momentin që është ende në fuqi ligji i luftës.

Duke shpjeguar procedurat e Kushtetutës së Shqipërisë, të cilat i konsideroi të vështira, ministri i Jashtëm grek tha se Presidenti Ilir Meta i ka dhënë dritën jeshile qeverisë e për këtë arsye bisedimet kanë mbetur në formalitetet e fundit, raporton “ABCNews”.

Kotzias tha se këto janë problem që ekzistojnë prej 70 – 80 vjetësh dhe kur marrëveshja të vijë në parlamentin grek të gjithë do të befasohen me polemikat e pakuptimta nga të dyja palët ndër vite.

Ky do të jetë takimi i tretë mes ekipeve negociatore pas atyre të Kretës dhe Korçës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat