Masa të rrepta sigurie në Shkodër, policia rrethon gjykatën

Shqipëria

Masa të rrepta sigurie në Shkodër, policia rrethon gjykatën

Më: 20 prill 2018 Në ora: 10:22
Foto nga Gjykata Shkoder

Kur kanë mbetur vetëm pak minuta nga nisja e seancës në Gjykatën e Shkodrës, Policia ka rrethuar të gjithë zonën.

Në orën 11:00, në Gjykatën e Apelit në Shkodër, do të zhvillohet seanca për rivlerësimin e masës së sigurisë për 11 kuksianët e arrestuar për protestën në Rrugën e Kombit.

Edhe këtë herë policia ka marrë pasa të rrepta sigurie, pasi është njoftuar dhe zhvillimi i një proteste në mbështetje të kuksianëve të arrestuar.

Do të tensionohet sot situata në Shkodër? Deputetët e PD vendosin që…

Deputetë dhe aktivistë të Partisë Demokratike do të jenë ditën e sotme prezentë në Gjykatën e Apelit të Shkodrës, ku janë ankimuar 23 masat e sigurisë dhënë nga Gjykata për protestuesit e Rrugës së Kombit.

Këtë e ka konfirmuar edhe deputeti demokrat nga Qarku i Shkodrës, Bardh Spahia.

“Nderi dhe tradita e Shkodrës e don që të jemi sa më shumë dhe të reagojmë sa më fort në mbështetje të tyre dhe kundër gjyqeve politike, të cilat na kujtojnë kohët më të errëta të Shqipërisë dhe me të cilat Shkodra dhe shkodranët nuk janë pajtuar as gjatë diktaturës më të egër. I gjithë Grupi Parlamentar i PD-së do jetë aty. Sytë, mendja dhe zemra e çdo demokrati kudo ku ndodhet nesër do jenë në Shkodër. Le të jemi sa më shumë nesër (sot) në orën 10:00 te Gjykata e Apelit”, shkruan Spahia në një status në rrjetin social “Facebook”.

Ditën e sotme, në Gjykatën e Apelit të Shkodrës do të zhvillohet seanca gjyqësore për masat e sigurisë ndaj 23 protestuesve. Avokatët e tyre mbrojtës kanë apeluar vendimin e Shkallës së Parë të Kukësit që la në burg 11 protestues, 10 në detyrim paraqitjeje dhe 2 në arrest shtëpie.

Seanca e mëparshme u zhvillua në Gjykatën e Tiranës për çështje sigurie. Ajo zgjati rreth 3 orë dhe u shoqërua me tensione brenda gjykatës, ku pati përplasje mes policisë dhe deputetëve të PD-së. Ndërkohë, Drejtoria e Policisë pati angazhuar rreth 1 mijë policë për mbarëvajtjen e seancës.

Shpallja e vendimit u bë me praninë e gazetarëve, deputetëve të opozitës që ishin në sallë, si edhe me praninë e disa familjarëve të të arrestuarve. Pasi lexoi vendimin gjyqtarja Alma Ahmeti, disa deputetë të opozitës thirrën ndaj gjyqtares: “Turp, turp!”, ndërsa një prej deputeteve e cilësoi gjyqtaren “palaço”.

Sipas vendimit u lanë në burg: Xhevahir Hereni, Elton Cenku, Florin Onuzi, Shkëlqim Vata, Xhevahir Gashi dhe Elvis Oruçi, Rasim Onuzi, Abdi Haziraj dhe Vasil Laçi, Edmond Matmuja dhe 20 ditë burg për Shpëtim Totën.

Gjykata vendosi detyrim paraqitjeje për Ahmet Toblin, Lulzim Popën, Saimir Trotën, Lefter Rexhmatin, Adem Durakun dhe Armand Ademin, Ardit Alidinin, Zenel Matmujan, Fatos Harullën, Rasim Koloshin dhe arrest shtëpie për: Shaban Selmanin dhe Shemsi Trotën.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat