Zbulimet gjuhësore në Ukrainë, flitet shqip në 4 fshatra

Shqipëria

Zbulimet gjuhësore në Ukrainë, flitet shqip në 4 fshatra

Më: 19 prill 2018 Në ora: 15:43
Pamje nga videoja

Përshkrimi dhe studimi i së folmes së fshatrave shqiptare të Ukrainës, për të cilën bie fjala më poshtë, ishte filluar që në çerekun e parë të shek. XX nga akademiku N. S. Derzhavin dhe ka vazhduar deri kohët e fundit. Kontributin me vlerë në studimin linguistik të këtyre fshatrave e kanë dhënë studiuesja nga Moska N. V. Kotova, gjuhëtarja nga Minsku L. J. Demkodhe ekipi i albanologëve nga Leningradi / Sankt-Petërburgu me prof. A. V. Desnickaja në krye, të cilët patën punuar në terren gjatë viteve 1950–1970. Si rezultat e kësaj pune shumëvjeçare u krijua një varg punimesh për fonetikën, gramatikën dhe leksikun e së folmes së shqiptarëve të Ukrainës (Kotova 1956; 2017; Demko 1971; 1972; Sitov 1975; Voronina et al. 1996; Zhugra, Sharapova 1998, etj.). Në etapën bashkëkohore me hulumtimin etnografik dhe gjuhësor të fshatrave shqiptare të Ukrainës janë marrë studiues nga Sankt-Petërburgu me prof. A. A. Novikun në krye (Novik etj. 2016).

E folmja shqipe në fjalë flitet në katër fshatra në jug të Ukrainës: Karakurt në rrethin e Bollgradit, qarku i Odesës (fshati quhej Zhovtnevoe nga 1944 deri në 2016; emri i vjetër Karakurt iu rikthye në kuadrin e fushatës së likuidimit të trashëgimisë ideologjike të komunizmit në Ukrainë në vitet 2014–2016); Georgievka, Devninskoe dhe Gammovka në rrethin e Priazovjes, qarku i Zaporozhjes (përkatësisht Tyshki, Taz dhe Xhandran; toponimet e vjetra njihen nga të gjithë banuesit dhe u përkasin vendbanimeve të tartarëve nogaj që kishin banuar në stepën e zonës së bregdetit Azov).

Në ditët tona, sipas Censusit të vitit 2001, në territorin e Ukrainës banojnë 3.308 shqiptarë: 1.862 në qarkun e Odesës, 892 në qarkun e Zaporozhjes dhe 554 në qarqe të tjera,përfshirë këtu shqiptarët që vazhdojnë së banuari në të katër fshatra shqiptare të Ukrainës, si dhe ata që ikën në qytete ose u shpërndanë nëpër fshatra të qarqeve fqinje. Për sa i përket ruajtjes të së folmes së shqiptarëve të Ukrainës, sipas të dhënave zyrtare të Censusit, shumica e shqiptarëve të qarkut të Odesës kanë deklaruar se gjuha e tyre amtare është shqipja, kurse në qarkun e Zaporozhjes 608 veta u përgjigjën që gjuha e tyre amtare është rusishtja dhe vetëm 198 veta pohuan që kanë si gjuhë amtare shqipen.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat