Erdogan kërkon "kokën" e tij, Bruçaj i përgjigjet për ekstradimin e turqve!

Shqipëria

Erdogan kërkon "kokën" e tij, Bruçaj i përgjigjet për ekstradimin e turqve!

Më: 16 prill 2018 Në ora: 22:19
Skënder Bruçaj

Shqipëria është një vend i lirë – u shpreh kreu i Komunitetit Mysliman Skënder Bruçaj, i pyetur se si do të vepronte Shqipëria nëse Turqia do t’i bënte presion Tiranës për dorëzimin e turqve që presidenti Erdogan i akuzon si të lidhur me Fetullah Gylen.

I ftuar në “Ditari” në Zërin e Amerikës, teksa komentoi incidentin e dorëzimit nga Kosova të 6 shtetasve turq, të akuzuar për veprimtari kundër qeverisë turke, Kreu i Komunitetit Mysliman u fokusua edhe tek Shqipëria.

Nëse do të ushtrohej një presion i njëjtë ndaj Tiranës siç ndodhi me Kosovën, Bruçaj lë të kuptohet se Shqipëria është vend i lirë që mendon për të mirën e kombit të saj, dhe se shqiptarët nuk mund të zgjidhin problemet e turqve.  Duke theksuar fjalën, “vend i lirë”, Bruçaj lë të kuptohet se askush nuk mund të imponojë një shtet nëse Shqipëria nuk mendon se kjo është për të mirën e kombit të saj.

"Shqipëria është një vend i lirë dhe jam i bindur se do të vendoste çfarë është mirë për kombin, për Shqipërinë, në këtë lidhje. Problemet politike në Turqi, apo në një vend tjetër, ne si shqiptarë nuk ja zgjidhim dot, ne kemi prioritetet tona, ne investojmë për progresin, harmoninë dhe stabiltetin e vendit tonë dhe besoj që do ta ruajmë fort këtë vlerë, duke respektuar dhe në bashkëpunim me shtetet e tjera fqinjë," - tha për Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Skënder Bruçaj.

Skënder Bruçaj është sulmuar mjaft nga presidenti i Turqisë, përmes mediave pranë Erdogan, të cilat thonin se ky i fundit i ka vënë kusht kryeministrit Edi Rama “kokën” e kreut të KMSH-së me akuzat se është i lidhur me Gylen. Presidenti turk – shkruanin mediat – e ka vënë këtë kërkesë si kusht për të marrë pjesë ose jo në ceremoninë e inaugurimit të Xhamisë së Madhe.

Fethullah Gulen, predikues fetar, jeton në mërgim në Pensilvani të Shteteve të Bashkuara. Erdogan e ka bërë atë përgjegjës për tentativën e grushtit të shtetit që ndodhi në korrik të 2016-ës. Gulen është udhëheqës i lëvizjes Hizmet, e cila besohet të këtë miliona mbështetës në Turqi duke përfshirë edhe personalitete në pozicione të fuqishme.

Kjo lëvizje është e zgjeruar edhe jashtë Turqisë dhe ka mbështetës në tërë botën.

Lëvizja në fjalë promovon dialogun ndërfetarë, edukimin dhe demokracinë.

Së fundi Erdogan po i kërkon shteteve ku dyshohet se ka turq të lidhur me Gulen, që t’i ekstradojnë ata. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat