Shqipëria hap negociatat, raporti i BE: Përparim në 5 prioritetet kyçe

Shqipëria

Shqipëria hap negociatat, raporti i BE: Përparim në 5 prioritetet kyçe

Më: 16 prill 2018 Në ora: 16:21
Foto

Shqipëria dhe Maqedonia mund të nisin negociatat për anëtarësim në BE, ndërsa abuzimet me të drejtat e njeriut do ta lënë sërish në pritje Turqinë.

Top Channel ka siguruar paraprakisht draftin e raportit të zgjerimit që pritet të publikohet të martën, në 17 prill, e aty sqarohet se në vazhdën e progresit të arritur, KE-ja do të rekomandojë hapjen e negociatave me Shqipërinë.

Ruajtja dhe thellimi i këtij momenti reformash në fushën kyç të sundimit të ligjit, e veçanërisht 5 prioriteteve kryesore, dhe rezultatet e vazhdueshme, konkrete e të prekshme në rivlerësimin e gjykatësve dhe prokurorëve, pra procesi i vetingut, do të jenë vendimtare për progresin e mëtejshëm të vendit.
Në mbështetje te kesaj, vazhdon dokumenti, Komisioni Europian do të aplikojë qasjen e përforcuar për kapitujt e negociatave mbi gjyqësorin, të drejtat themelore, drejtësinë, lirinë dhe sigurinë e vendit.

E njëjta formule sipas EUObserver do të përdoret dhe për Maqedoninë, por rekomandimi është fillimisht për Shqipërinë. Eduard Kukan, anëtar i Komisionit të Punëve të Jashtme të Parlamentit Evropian dhe kryetar shumëvjeçar i Komitetit për Bashkëpunimin me Ballkanin Perëndimor i tha gjigandit mediatik gjerman DW se po të implementohet siç duhet reforma e thellë shqiptare e gjyqësorit, ajo do të jetë reforma më e rëndësishme e zbatuar mes shteteve në procesin e zgjerimit, e ndoshta edhe më serioze se në rastin e disa vendeve anëtare të BE.

Në vlerësimet e tij Komisioni Evropian nënvizon se Shqipëria po ecën përpara në të pesë prioritetet kyçe që janë thelbësore për integrimin në BE – nga reforma e administratës publike, reforma juridike, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe mbrojtja e të drejtave të njeriut.

Në fillim të vitit, kryetari i KE-së, Jean-Claude Juncker e pat pohuar se nëse Shqipëria vazhdon në këtë mënyrë në rrugën e reformave, Komisioni do t’i japë një rekomandim për të nisur negociatat e anëtarësimit brenda gjashtë muajve të parë të 2018-ës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat