Gjiknuri: Paga më të larta për minatorët

Shqipëria

Gjiknuri: Paga më të larta për minatorët

Më: 16 prill 2018 Në ora: 15:18
Ilustrim: Miniera

Në ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë ka një draft të paraqitur nga grupet e sindikatave për statusin e minatorit mbi të cilin ende po punohet.

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri u bëri sot apel të gjitha sindikatave të zgjedhin përfaqësuesit e tyre dhe të nisin negociatat mbi këtë draft.

“Ne kemi një draft deri diku të dakordësuar, ku adresohen ose le të themi dalin në pah disa elementë kryesorë të kërkesave tuaja. Do të udhëzoj që grupi i punës të takohet përsëri me të gjithë përfaqësuesit e sindikatave për të diskutuar këtë draft të fundit, ku ka disa kërkesa”, tha Gjiknuri.

Sipas tij, disa kërkesa kanë efekte financiare dhe këtë nuk duhet ta fshehim, ndërsa theksoi se kërkesa e minatorëve për pagën minimale mund të realizohet.

Kreu i MIE-t tha se në kompanitë e minierave kanë nisur të bëhen pagesat për minatorët me paga më të larta.

“Minatorët nuk kanë paga të ulëta, të papërfillshme. Kanë filluar të paguhen më mirë. Jam dakord që duke vendosur edhe një kufi ligjor kjo mund të bëhet më e trysnueshme, më e kontrollueshme nga shteti nëpërmjet Inspektoratit të Punës, apo institucioneve të tjera fiskale dhe mendoj që këtu mund të gjejmë një dakordësi”, siguroi Gjiknuri.

Gjatë mandatit të parë, theksoi ai, realizuam uljen e moshës së pensionit, që edhe kjo është një arritje me kosto financiare për shtetin.

Gjiknuri më tej shtoi se së bashku me ministrin e Financave do të studiohen mundësitë për realizimin e një pjesë të kërkesave tuaja. /ATSH

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat