Luan Rama kërkon ”gjak”, nxit popullin për dhunë. Akuzon edhe Arta Markun

Shqipëria

Luan Rama kërkon ”gjak”, nxit popullin për dhunë. Akuzon edhe Arta Markun

Më: 16 prill 2018 Në ora: 12:55
Luan Rama

Luan Rama, nënkryetari i LSI-së nëpërmjet një statusi në rrjetet sociale është shprehur se Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme Arta Marku duhet të paditet për shpërdorim detyre lidhur me arrestimin e 11 kuksianëve që shkatërruan pikat e sportelit në Rrugën e Kombit gjatë protestës së organizuar kundër taksës 10 Euro të vendosur nga qeveria.

Ai del në përfundimin, se duke qenë se ndaj protestuesve ka patur një komplot shtetëror, populli duhet të mbrohet vetë ndaj kësaj padrejtësie.

Statusi i Luan Ramës në Facebook:

Përsëri për qytetarët protestues në Rrugën e Kombit:

Mbajtja në burg e kuksianëve – krim shteteror!

Policia, prokuroria dhe gjykata kanë kryer një krim shtetëror me mbajtjen në burg të 11 kuksianëve të pafajshëm, protestues në “Rrugën e Kombit”.

Sepse e gjithë veprimtaria e tyre është kryer në kundërshtim me kërkesat që parashikon Kodi i Procedurës Penale!

Titullarë dhe përfaqësues të këtyre institucioneve, në bashkëpunim, kanë fallsifikuar dokumentat zyrtare dhe kanë shpërdoruar detyrën!

Pas dëshmive të qindra qytetarëve kuksianë, pas provave shkresore e së fundmi, edhe pas provave filmike, provohet katërcipërisht e pa asnjë ekuivok se jemi përpara një krimi shtetëror të organizuar e të realizuar në bashkëpunim.

Qytetarët e pafajshëm kuksianë janë ndaluar nga policia rreth ores 2 dhe 3 pas mesnate, ndërkohë që në gjykatë janë paraqitur urdhër ndalime që mbajnë orën 10 ose 11 të ditës në vijim, pra 7-8 orë më vonë nga koha e ndalimit të tyre nga policia.

Një precedent i rrezikshëm, një akt unikal e i pashembullt, për të cilin përgjegjësia kryesore bie mbi Prokuroren e Përgjithëshme, e cila edhe vetë është gjithashtu në kushtet e kryerjes së veprës penale të shpërdorimit të deryrës, parashikuar në nenin 248 të Kodit Penal.

Ndaj, sipas Kodit të Procedurës Penale, meqenëse është subjekt i posaçëm, për të duhet bërë menjëherë kallëzim në Prokurorinë e Krimeve të rënda! Dhe për të tjerët, drejtuesit vendorë të policisë e prokurorët shërbëtorë që në bashkëpunim janë pjesmarrës në këtë krim, duhet bërë kallëzim në prokurorinë më të afërt me prokurorinë e Kukësit, për fallsifikim të dokumentave zyrtare në bashkëpunim!

Kuvendi i Shqipërisë, Presidenti i Republikës, Avokati i Popullit e një tufë me komisionerë e zyrtarë që vegjetojnë nëpër zyra me gjithëfarë emrash sugjestionues si për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, për mbrojtjen nga diskriminimi apo organizime të të ashtuquajturës shoqëri civile duke filluar me Komitetin Shqiptar të Helsinkit e me rradhe, duhet të ngrihen në alarm! Menjëherë dhe pa asnjë hezitim!

Eshtë shkelur Kushtetuta, janë shkrelur Konventat Ndërkombëtare në të cilat Shqipëria është palë, janë shkelur ligjet e shtetit, janë shkelur dhe dhunuar të drejtat dhe liritë themelore të njeriut!

11 qytetarë të pafajshëm kuksianë mbahen padrejtësisht në burg!

Kur shteti kryen krim, është detyrë e popullit të bëjë drejtësi!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat