Berisha: Përshëndes sulmin ndaj Sirisë, Rusia në anën e ligë të historisë

Shqipëria

Berisha: Përshëndes sulmin ndaj Sirisë, Rusia në anën e ligë të historisë

Më: 14 prill 2018 Në ora: 13:46
Sali Berisha

Ish-Kryeministri Sali Berisha ka përshëndetur fillimin e sulmeve ajrore me raketa të Perëndimit kundër regjimit të Bashar Al Assad në Siri.

Në një postim në rrjetet sociale, Berisha thotë se sulmi i SHBA, Britanisë dhe Francës është tërësisht i merituar ndaj Presidentit të Sirisë Bashar Al Assad.

Ish-Kryeministri thotë gjithashtu se Rusia, e cila është aleate e Sirisë, është rreshtuar në anën e gabuar të historisë.

“Një sulm i merituar dhe për t’u përshëndetur i aleatëve kryesorë perëndimor; SHBA, Britanisë së Madhe dhe Francës kundër diktatorit Bashar al Assad, Sadamit të ri të Lindjes së Mesme, që gazon popullin e tij. Rusia provon se është vendosur në anën e ligë të historisë”, thotë ish-Kryeministri Sali Berisha.

Edhe Partia Demokratike ka shprehur mbështetjen për ndërhyrjen ushtarake të SHBA-së, Francës dhe Britanisë.

“Përdorimi i këtyre armëve kimike rikonfirmoi  se regjimi i Asad-it është në gjendje të ndërmarrë veprimet më ç’njerëzore kundër popullsisë së pambrojtur, nëse nuk përballet me pasojat më të rënda. Partia Demokratike e vlerëson si plotësisht legjitime ndërhyrjen e sotme ushtarake të aleateve tanë dhe shpreh mbështetjen e plotë dhe të vendosur për Presidentin Trump, Kryeministren May dhe Presidentin Macron, në aktet e ndërmarra për të ndëshkuar krimet monstruoze, për të mbrojtur popullsinë siriane nga sulmet me armë kimike dhe në perpjekjen për siguri dhe paqe në rajon dhe më gjerë“, thuhet në njoftimin e Partisë Demokratike.

Javën e kaluar, forcat qeveritare të Assad hodhën bomba kimike ndaj popullsisë civile në Siri, duke vrarë edhe fëmijë. Ka qenë ky shkaku që 3 shtetet Perëndimore, nën udhëheqjen e SHBA-së, nisën gjatë natës sulmet me raketa për të shkatërruar bazat e armëve kimike. Presidenti i Rusisë Vladimir Putin e ka dënuar këtë sulm të Perëndimit ndaj Sirisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat