Basha për TVSH-në në Kavajë: Nga ulja e pragut përfitojnë vetëm oligarkët

Shqipëria

Basha për TVSH-në në Kavajë: Nga ulja e pragut përfitojnë vetëm oligarkët

Më: 13 prill 2018 Në ora: 12:35
Lulzim Basha

Edi Rama thotë se tregjet janë jashtë skemës së Tatimit mbi Vlerën e Shtuar, por Lulzim Basha e shfrytëzoi të premten për t’u takuar me tregtarët në qytetin e Kavajës.

Në bashkëbisedimin me ta, kreu i Partisë Demokratike u interesua se si prekeshin tregtarët e vegjël me futjen në skemën e TVSH-së.

“Shumica nuk e dinë fare se çfarë është futja në TVSH, nuk e dinë se çfarë shkatërrimi sjell. Qeveria thotë se nuk ka problem, por nëse nuk ka problem, pse e fut? Taksën e ka vënë kundër këshillës së FMN, kundër këshillës të ekspertëve të ekonomisë dhe kundër dëshirës së biznesit të vogël”, tha Basha.

Basha përsëriti akuzën se ulja e pragut është bërë nga qeveria për të përfituar një grusht oligarkësh.

“Të vetmit që janë pro uljes së TVSH-së janë Qeveria dhe oligarkët. Oligarkët sepse me falimentimin e biznesit të vogël përfitojnë ata, Qeveria sepse do ta japë me koncesion”, u shpreh kreu i PD.

Basha tha se opozita është në krah të biznesit:”T’i japim fund padrejtësisë, t’i japim fund grabitjes. Grabitja që po bëhet me TVSH-në bëhet për t’iu ulur kokën njerëzve. Nuk ka nevojë Edi Rama për 15 milionë dollarë më shumë që të nxjerrë dhjamë nga pleshti, me TVSH-në nuk ka nevojë, por e bën për t’i ulur kokën biznesin e vogël, për t’i marrë shpirtin që të mos kujtohet të ngrejë kokën, të mos kujtohet të rezistojnë. Vetëm për perde dhe kolltukë do të harxhojë 18.5 milionë dollarë në vit, për lukse. Pra, nuk ka nevojë për këto lekë, por e bën sepse e ka mësim nga etërit e tij politikë; sa më shumë t’ia ulësh kokën popullit aq më lehtë e sundon. Kam ardhur t’ju bëj një pyetje: Do të pranoni ta ulni kokën?”.

“Jo, jo, jo! iu përgjigjen fermerët.

“Jam i bindur që Kavaja nuk e ul më kokën. Ky është momenti që të çohemi të gjithë nga Shkodra dhe Kukësi, nga Kavaja dhe Vlora e ta refuzojmë përmes bashkimit qytetar, përmes akteve individuale dhe të bashkuara këtë protestë kundër padrejtësisë ta refuzojmë dhe ta zmbrapsim këtë të keqe. Ne nuk kemi asnjë detyrë të rëndësishme si demokratë, si Parti Demokratike, unë si kryetar i saj sesa të jemi në krahun tuaj. Ndaj dua ta mbyll me këtë zotim: Jemi, do të jemi në krahun tuaj kudo që të ngriheni, mos kini frikë! Ngrihuni, Partia Demokratike, demokratët do të jenë në krahun tuaj. Do të jemi në krahun tuaj derisa ta fitojmë këtë betejë”, tha Basha.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat