Oficerët e policisë gjyqësore letër “Ligjeve”: Duam 70% të pagës së prokurorëve

Shqipëria

Oficerët e policisë gjyqësore letër “Ligjeve”: Duam 70% të pagës së prokurorëve

Më: 11 prill 2018 Në ora: 18:46
Në ligjin aktual ende në fuqi, përcaktohet qartë paga e Oficerit të Policisë Gjyqësore në Seksionet e Policisë Gjyqësore pranë Prokurorive.

Oficerët e policisë gjyqësore në vend i kanë dërguar një letër Komisionit të Ligjeve, i cili pritet të hartojë ligjin organik të tyre, duke ju kërkuar disa ndryshime në raport me projektligjin paraprak.  Oficerët të cilët u kanë shkruar dhe dy misioneve të huaja, EURALIUS dhe OPDAT, kërkojnë që paga e tyre të jetë sa 70% e pagës së re të prokurorëve.

Aktualisht paga bazë e oficerëve është rreth 55 mijë lekë, ndërkohë që paga e re e prokurorëve përllogaritet të shkojë rreth 200 mijë lekë.  Me ligjin e ri pas ndryshimeve kushtetuese të reformës në drejtësi, oficerët e policisë gjyqësore mbajnë barrën më të rëndë në kryerjen e procedurave hetimore, por u është hequr e drejta për të bërë karrierë duke mos u lejuar më që pas disa vitesh punë të mund të bëhen prokurorë.

Në këto kushte, ata kërkojnë minimalisht trajtim dinjitoz me pagë. “Në këtë kuptim, minimalisht Oficeri i Policisë Gjyqësore, duhet të ketë një trajtim financiar dinjitoz, si referuar statusit të tij, funksioneve që kryen, natyrën e punës dhe duke pasur parasysh gjithashtu edhe faktin e ngarkesës në punë.

Në ligjin aktual ende në fuqi, përcaktohet qartë paga e Oficerit të Policisë Gjyqësore në Seksionet e Policisë Gjyqësore pranë Prokurorive.

Në këtë ligj, përcaktohet shprehimisht se paga e OPGJ –së pranë Seksioneve është sa 70% e pages së Prokurorit që ushtron funksionin e tij pranë asaj Prokurorie.

Kështu, kërkojmë që minimalisht të ruhet kjo balance në trajtimin financiar, të ruhet balanca edhe në Prokuroritë apo seksionet e veçanta në Prokurori, ku Prokurorët përfitojnë shtesë mbi page për shkak vështirësie etj”,-thuhet ndër të tjera në letrën që ka mbërritur pranë Komisionit të Ligjeve.

Nga ana e komisionit ende nuk ka filluar puna për shqyrtimin e projektligjit për policinë gjyqësore, por burime pranë këtij Komisioni thanë për Report TV se do të merren në konsideratë kërkesat, dhe ky grup interesi do të dëgjohet gjatë punimeve të Komisionit të Ligjeve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat