Fatos Klosi: PD-LSI shfrytëzojnë protestat qytetare për politikë, ja pse s’bllokojnë dot negociatat, nuk destabilizohet vendi me të tilla organizime

Shqipëria

Fatos Klosi: PD-LSI shfrytëzojnë protestat qytetare për politikë, ja pse s’bllokojnë dot negociatat, nuk destabilizohet vendi me të tilla organizime

Më: 11 prill 2018 Në ora: 16:38
Fatos Klosi, Ish-kryetari i Shërbimit Informativ Shtetëror

Ish-kryetari i Shërbimit Informativ Shtetëror, Fatos Klosi deklaroi dje se protestat e ditëve të fundit janë politike. Gjatë një prononcimi për gazetën “SOT”, Klosi u shpreh se kryengritjet dhe problemet e popullit të thjeshtë po shfrytëzohen nga opozita e vendit për të bërë politikë. “Ajo është një protestë politike. Partitë politike po e shfrytëzojnë këtë situatë për të bërë politikë.

Kjo është e padiskutueshme sepse në qoftë se do të ishte protestë popullore, do të kishte më shumë njerëz që kanë interesa të njëjta. Njerëzit nuk duan që partitë të ngatërrohen me ta sepse e kanë kuptuar që partitë kanë interesa të tjera nga ato të njerëzve. Partitë duan që të marrin pushtetin, njerëzit duan të jetojnë, populli nuk do të vijë në pushtet. Kështu që ka një diferencë vërtetë të madhe dhe për mua kjo është një protestë popullore, qoftë ajo e Kukësit, qoftë kjo e bizneseve apo e tregtarëve të vegjël”, tha ai.

Integrimi në BE

Ish-kreu i SHISH theksoi se këto organizime politike nuk do të ndikojnë në vendimin që pritet të merret në qershor për hapjen e negociatave me Bashkimin Evropian. Sipas tij, protestat e deritanishme janë gjëra shumë të vogla për tu marrë, ndërsa shtoi se fokusi kryesor i ndërkombëtarëve është tek zbatimi i reformës në drejtësi dhe procesit të vetingut. Për Klosin, procesi i rivlerësimit për njerëzit e drejtësisë është në rrugë të mbarë dhe duke u bazuar tek kjo, nënvizoi se vendimi i qershorit pritet të jetë pozitiv.

“Absolutisht që të tilla organizimesh nuk do të ndikojnë në vendimin për hapjen e negociatave me BE për Shqipërinë. Këto janë probleme fare të vogla, në krahasim me detyrat e mëdha që na kishte lënë Bashkimi Evropian. Vetingu sigurisht është i rëndësishëm dhe kam përshtypjen që ata janë bindur që ka hyrë në një rrugëzgjidhje që nuk është e kollajtë. Nuk mund të themi afatin se kur mund të mbaroj ky proces, mbase nuk mbaron asnjëherë, por gjërat janë optimiste.

Me aq sa kam dëgjuar nga ministri i Jashtëm, i cili nuk besoj se ka gënjyer, mendoj dhe jam shpresëplotë që këtë herë do të hidhet hapi vendimtar për Shqipërinë. Them se në qershor do të marrim një vendim pozitiv për të çelur bisedimet, pastaj është një periudhë që kushedi sa vite do të zgjasë. Pastaj futemi në një kalvar tjetër të gjatë, por hapja e negociatave do të jetë një hap i rëndësishëm dhe me peshë”, deklaroi ish-kreu i SHISH.

Destabilizimi i vendit

Fatos Klosi shtoi ndër të tjera gjatë reagimit të tij se këto organizime nga ana e partive opozitare nuk do të ndikojnë aspak në stabilitetin e vendit. Ai tha se shkatërrimi i biznesit të vogël është përmes futjes në skemën e TVSH është një lojë politike.

“Nuk besoj se të tilla organizime do të kenë impakt dhe do të arrijnë të destabilizojnë vendin. Duhet të ketë impakt në qeveri sepse është e nevojshme që qeveria të nxjerrë mësime nga këto gjëra. Në këtë rast cili është mësimi? Unë them që kryeministri e tha shumë qartë kur kërkoi falje për qytetarët e Kukësit. Mua nuk më duket bindëse ideja që vënia e TVSH do ta shkatërrojë biznesin e vogël, absolutisht që kjo është lojë politike.

Dhe këtë rast e shfrytëzon opozita. Dhe mirë bën në fakt sepse opozita duhet të gjejë çdo mundësi për të bërë politikë”, nënvizoi ish-kryetari i Shërbimit Informativ. Fatos Klosi i drejtoi edhe një thirrje qeverisë që në rastet kur ndërmerren reforma të tilla të mëdha të bëhen shpjegime shteruese në mënyrë që të mos krijohen këto debate. Sipas tij, ky është çelësi i zgjidhjes së situatave.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat