Revolta kundër taksës së Rrugës së Kombit, ministri shkon në Kukës

Shqipëria

Revolta kundër taksës së Rrugës së Kombit, ministri shkon në Kukës

Më: 11 prill 2018 Në ora: 15:15
Arben Ahmetaj

Ndërsa kryeministri Edi Rama u mjaftua me një video-konferencë me kuksianët, për herë të parë pas protestës së 28 shkurtit pranë Tunelit të Kalimashit, ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj, ka shkuar në Kukës.
Ministri ka zhvilluar një bashkëbisedim me bizneset e vogla vendase, por takimi u mbajt pa praninë e mediave. Ajo çka u bisedua në të u përcoll përmes zyrës së shtypit të Ministrisë, dhe në fokus ka qenë kundërshtia e tyre për taksën e dyfishtë të vendosur për kalimin e automjeteve në Rrugën e Kombit.

Sipas njoftimit zyrtar, Ahmetaj u ka bërë të ditur se qeveria po negocion për një paketë të lehtësuar për banorët e Kukësit për tarifën e rrugës.

Ministri i financave është ndalur në komunikimin me tregtarët e Kukësit tek informimi mbi debatin e hapur për përfshirjen e tyre në skemën e TVSH-së.

Ahmatej ka thënë se nuk bëhet fjalë për një taksë të re, por për një detyrim për deklarim, i cili nuk do ketë ngarkesë të shtuar fiskale për bizneset, e as rritje çmimesh për konsumatorët.

Bizneset do asistohen ne procesin e deklarimit e nuk do ketë gjoba për gabimet, ka thënë ai.

Ministri ka bërë të ditur se qeveria do ndërmarrë një Informim intensiv për përfshirjen në skemën e deklarimit, duke komunikuar me çdo biznes në të gjithë vendin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat