‘Lazarati’, tritol shtëpisë së të penduarit. Dëshmia kundër grupit që vrau Ibrahim Bashën: Morëm fund

Shqipëria

‘Lazarati’, tritol shtëpisë së të penduarit. Dëshmia kundër grupit që vrau Ibrahim Bashën: Morëm fund

Më: 6 prill 2018 Në ora: 14:41
Rasti "Lazarati"

Pas atentatit me tritol familjes së 22- vjeçarit të dënuar për vrasjen e efektivit të RENEA-s në Lazarat, policia nuk perjashton pisten e hakmarrjes.

Klodian Selimi është një nga 11 anëtarët e grupit të Lazaratit të dënuar për vrasjen e efektivit të RENEA-s në vitin 2015, Ibrahim Basha.

Klodian Selimi dhe Xhuliano Malo janë dy nga të dënuarit që kanë dhënë dëshmi të detajuar për ngjarjen e ndodhur në korrikun e vitit 2015, duke u cilësuar dhe si të “penduarit”.

Në dëshminë e tij para prokurorëve, Selimi ka treguar se si Arbjon dhe Alban Aliko i kishin kërkuar që t’i bashkohej grupit që do të qëllonte ndaj Policisë. Sipas asaj që ka dëshmuar i riu Selimi, në momentin e sulmit ai nuk ka qenë i pranishëm, pasi ishte larguar me pretekstin se po do të blinte ujë dhe më pas kishte fikur telefonin.

Pavarësisht këtij pretendimi, Selimi u dënua me 13 vite heqje lirie, ndërsa Xhulion Malo me 10 vite. Nga ana tjetër, Gjykata e Krimeve të Rënda vendosi burgim të përjetshëm për Arbion Alikon dhe Barjam Boçian, si dy krerët e grupit që organizuan sulmin me armë ndaj forcave të RENEA-s në Lazarat.

Po kështu, Gjykata ka vendosur 35 vjet burg për Elvis Boçian, 20 vjet për Alban Alikon, 18 vjet për Elson Kazmën, nga 15 vjet për Iljaz Xhaferrajn, Dervish Gabën dhe Ruhan Hurjen dhe 9 vjet për Oltion Prokon.

Vendimi është kundërshtuar edhe nga të pandehurit në seancë, të cilët akuzojnë Prokurorinë se i ka detyruar që të pranojnë krimin.

Nga hetimi i Prokurorisë për Krime të Rënda ka rezultuar se grupi, nën drejtimin e shtetasve Arbion dhe Alban Aliko, kanë planifikuar, organizuar dhe goditur forcat e Policisë, të cilat gjendeshin në patrullim në zonën e Lazaratit, në datat 23-24 qershor 2015.

Zbardhen dëshmitë që fundosin Alikot. Malo e Selimi: “Morëm fund”

Dëshmitë e dy të rinjve rëndojnë pozitat e Arbjon dhe Alban Alikos, duke nxjerrë në dritë planin disamujor të tyre për të sulmuar Policinë e Shtetit dhe përpjekjet për të mbledhur persona të tjerë rreth vetes.

Nga thëniet e Malos e Selimit, aktualisht të lënë në “arrest në burg”, kuptohet se Arbjon Aliko ka lëvizur pa problem nëpër Lazarat, ndonëse ishte në kërkim.

Ata kanë rrëfyer si u ishte bërë ftesa nga vëllezërit Aliko për të luftuar me policinë, me qëllim rikthimin e mbjelljes së hashashit në fshat. Para prokurorëve Malo dhe Selimi kanë treguar detaje mbi organizimin e grupit “antishtet” në Lazarat, armët e përdorura e deri te thirrjet “Allahu Ekber” nga Arbjon Aliko para se të hapnin zjarr në ajër.

SULMI
Kishte 8-9 persona të tjerë. Ishin me maska dhe rroba ushtarake nga të cilët njoha Arbjonin, vëllain Albanin, me të cilin fola. Ishin të gjithë të armatosur, por kishte dhe armë të tjera përtokë. Edhe unë mora një kallash. Te ky vend kemi ndenjur deri rreth orës 18:00.

Gjatë gjithë kësaj kohe kemi qëlluar herë pas here me armë në ajër. I pari që ka qëlluar ka qenë Arbjoni, i cili para se të qëllonte thërriti ‘Allahu Ekber’. Pas tij thërritëm të gjithë dhe filluam të qëllonim në ajër. Unë kam shtënë rreth 15 plumba.

Rreth mëngjesit Albani dhe Arbjoni më thanë se duhej të shkoja afër qendrës të merrja një makinë që këta të dy kishin lënë aty, me çelësat brenda. Unë vajta e mora makinën dhe u nisa për ta çuar aty ku ishin vëllezërit. Gjatë rrugës, ku kisha bërë më tepër se gjysmën, më ka ndaluar policia. Në momentin e prangosjes kam dëgjuar të shtëna armësh.

DESHMIA E SELIMIT
Arbjoni po kthehej me makinën e tij nga rruga ku kishte kaluar më parë. U afrova te makina dhe më tha: A do dalësh me grupin të luftojmë sonte? Unë i thashë po. Ai më tha: ik te grupi te depoja e ujit, ku ishte dhe grupi. Pas Arbjonit lëvizi dhe E. Aliko me makinën e tij “Smart”. Mendoja se shokët e grupit ishin shokët e fshatit, me të cilët ishte rritur. Kur shkova te vendi, aty ishin katër veta. Ata ishin në këmbë, të pamaskuar dhe ishin në pritje t’u sillnin armët e zjarrit. Këta persona ishin shtetasit D.G., E. Kasma, një djalë nga fshati me emrin Dh.K., A.H. dhe O.P. Ata më thanë se po presim armët pasi me to do të gjuanim policinë. Aty mësova se këta shtetas do të qëllonin me armë, pasi të qëllohej me armë në pjesën e poshtme të fshatit. Do të qëllonim me armë reth orës 3 ose 4 të mëngjesit.

PLANI
Gjatë kësaj kohe D. foli në telefon me Arbjonin dhe mësova fillimisht do të qëllohej poshtë. Pastaj, grupi do të qëllonte aty e në vijim do të binim poshtë për t’u bashkuar me shtetas të tjerë që ishin me Arbjonin. Ata bënë dy telefonata për këtë plan. Pas pak, i frikësuar, si edhe pashë që babi kishte thirrur 32 herë në telefon, gjeta pretendimin për t’u larguar me arsyetimin se do shkoja për të marrë ujë te lokali. Kur shkova në shtëpi fika edhe telefonin. Rreth orës 17:00 dëgjova krisma arme. “MORËM FUND” Më ka telefonuar Arbjon Aliko dhe më pyeti se ku isha dhe i thashë se kam qenë në dasmë. Ai më tregoi se u fut policia nga depo e ujit që është në qendër të fshatit. Unë i thashë ‘morëm fund’, duke nënkuptuar se do të kishin probleme, pasi ishte qëlluar policia. Ishin tre grupe të organizuar që drejtoheshin nga Arbjon Aliko, E. Aliko dhe A. Basha, i cili komandonte grupin te xhamia, që quheshin D.G., E. Kazma, A.H. dhe Dh.B. Natën që është vrarë polici mësova se armët do t’ua sillte A.G., E.B dhe B.B., të cilët kanë qenë së bashku me shtetasin Arbjon Aliko, Alban Aliko dhe Elsona Kazma ditën e goditjes ndaj policisë, të mërkurën, më datë 24.06.15.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat