Nga Miloti në Vlorë, sot bllokohen akset kryesore të vendit. Policia jep paralajmërimin e fortë

Shqipëria

Nga Miloti në Vlorë, sot bllokohen akset kryesore të vendit. Policia jep paralajmërimin e fortë

Më: 5 prill 2018 Në ora: 07:47
Pamje nga protesa e mbajtur kohe me pare

Pas disa ditëve të tensionuara ku protesta për Rrugën e Kombit ka qenë kryefjala e revoltës qytetare, nga sot hyjmë në një fazë të re. Opozita nis sot atë që quhet mosbindje civile, duke mos njohur institucionet e varura nga qeveria.

Kështu nga ora 10 deri në orën 13 pothuajse i gjithë qarkullimi ne nivel kombëtar do të jetë i paralizuar pasi 4 akset kryesore do të bllokohen nga protestuesit.

Në deklarimet zyrtare të Partisë Demokratike thuhet se kjo forcë politike do të mbështesë qytetarët që do të protestojnë, me paralizimin e lëvizjes në nivel kombëtar.

Kryqëzimi i Milotit, kryqëzimi i Çermës në Lushnjë, kryqëzimi i Vorës ku thuhet se do të jetë edhe kryetari i PD-së Basha, si dhe kryqëzimi i Bradasheshit në Elbasan do të jenë akset rrugore që do të mbahen për rreth tre orë të bllokuara nga protestues.

Nga ana tjetër Policia e Shtetit e ka quajtur të paligjshme protestën e sotme, pasi nuk ka asnjë shkresë zyrtare u kërkohet leja.

“Zhvillimi i protestës së paralajmëruar mediatikisht, për vetë natyrën e saj përbën një cënim të rëndë të ligjit, të rendit publik dhe lirisë e sigurisë së çdo qytetari, që ka të drejtën të përdorë hapësirat e pushtuara nga një protestë e tillë.

Organizatorët e kësaj proteste të paligjshme do të përballen me ligjin për çdo pasojë të paparashikuar, që mund të sjellë një protestë e organizuar për të nxitur rrëmujë dhe konflikt në pika nevralgjike për qarkullimin e njerëzve dhe mjeteve. Policia e Shtetit njeh dhe respekton si të paprekshme të drejtën për të protestuar. Por ajo ka përgjegjësi ligjore, si dhe gatishmërinë për të mos lejuar cënimin e interesit të qytetarëve.

Policia e Shtetit u bën apel të gjithë qytetarëve të mos bien pre e një politike të angazhuar për të goditur ligjshmërinë dhe institucionet e vendit, duke dëmtuar interesat e njerëzve e të vetë vendit. Zhvillimi i një proteste të paligjshme mund të përdoret nga elementë me precedentë kriminalë dhe të nxitur a të paguar për të krijuar paqëndrueshmëri shoqërore.

Policia i bën thirrje çdo qytetari të mos bëhet pjesë e kësaj proteste të paligjshme dhe me rrezik për rendin e sigurinë. Gjithashtu Policia e Shtetit i kërkon paraprakisht ndjesë çdo qytetari, për çdo rast kur nuk do te mund t’i shërbejë si duhet lirisë se qarkullimit”, thuhet në deklaratën e Policisë së Shtetit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat