“Ambasada shqiptare në Holandë shet vendet e parkimit”, reagon ministria e Jashtme

Shqipëria

“Ambasada shqiptare në Holandë shet vendet e parkimit”, reagon ministria e Jashtme

Më: 29 mars 2018 Në ora: 19:28
Ambasada shqiptare në Holandë

Në lidhje me një artikull te medias holandeze “De Telegraf” që shkruan në lidhje me një konflikt për parkimin para ambasadës shqiptare, reagoi edhe Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme.

MEPJ shkruan se artikulli me titull “Banorët janë ‘ngopur’ me restorantin prej tende” i datës 28 mars në gazetën “De Telegraaf” shkruan për zënkën mes banorëve të rrugës ku gjendet edhe Ambasada në Hagë dhe restorantit në fjalë dhe se konflikti, sipas tyre, ka të bëjë me zhurmat që shkakton restoranti në orët e vona, por edhe me plehrat që grumbullon restoranti çdo natë dhe jo me ambasadën tonë atje.

“Banorët sipas artikullit ankohen se plehrat shkaktojnë shqetësim higjenik, ndërsa zhurmat dhe parkimet e parregullta të stafit të restorantit i irritojnë banorët. Ambasada bën me dije se nuk ka asnjë lidhje as me banorët në fjalë, as me restorantin, dhe nuk është në dijeni të këtyre konflikteve që ndodhin në orët e vona të natës, jashtë orarit të punës. Sa herë ka pasur parkime të parregullta në hapësirat e saj, ambasada gjithmonë i është drejtuar për zgjidhje policisë diplomatike”, thuhet në reagimin e MEPJ.

Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme publikon dhe letrën që i ka dërguar redaksisë së gazetës “De Telegraaf”:

“E nderuar Redaksi e Gazetës De Telegraaf,

Rreth artikullit: “Banorët janë ‘ngopur’ me restorantin prej tende” të datës 28 mars 2018, duam t’ju njoftojmë se me keqardhje lexuam mbi problemet që përmendni në artikull.

Ne sqarojmë se ambasada nuk ka lidhje me zënkat mes banorëve të rrugës dhe restorantit për zhurmën që shkakton ky i fundit gjatë orëve të natës.

Ambasada përdor gjatë orarit të punës, dy vende parkimi të alokuara nga Bashkia e Hagës. Për më tepër, ambasada i paguan Bashkisë së Hagës një abonim vjetor parkimi. Këto parkime përdoren nga punonjësit e ambasadës për mbarëvajtjen e punës së përditshme.

Sa herë që ne vërejmë parkime të parregullta në hapësirat e alokuara, ne njoftojmë shërbimin e policisë diplomatike.

Shpresojmë që artikulli juaj të ndihmojë në zgjidhjen e zënkave mes restorantit dhe banorëve të kësaj lagjje.

Ne gjithashtu ju lutemi ta publikoni këtë deklaratë në gazetën tuaj, për të parandaluar keqkuptimet që mund të lindin nga ky perceptim i gabuar i ambasadës, për çështje që kanë të bëjnë me aktorë të tretë, e të cilat zhvillohen në orët e vona të natës, jashtë orarit të punës, kompentencave dhe përgjegjësisë së ambasadës.

Ambasada e RSH në Hagë përfiton nga rasti për t’ï përcjellë gazetës De Telegraaf konsideratat e saj më të larta”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat