Ditmir Bushati zgjohet në vitin 1992 dhe mburret me rreshtimin e Shqipërisë në kampin perëndimor!

Shqipëria

Ditmir Bushati zgjohet në vitin 1992 dhe mburret me rreshtimin e Shqipërisë në kampin perëndimor!

Më: 27 mars 2018 Në ora: 10:17
Dirmir Bushati dhe Edi Rama

Që nga 22 marsi i vitit 1992, kur Partia Demokratike e krijuar një vit më herët fitoi zgjedhjet me 62.09 për qind të votave ndaj Partisë Socialiste, pasardhëse e PPSH-së, e cila mori vetëm 25.73 për qind të votave, Shqipëria u rreshtua zyrtarisht dhe përfundimisht në frontin e vendeve demokratike perëndimore.

Sot 26 vite më vonë, një prej pinjollëve tipikë të nomeklaturës komuniste që e mbajti vendin tonë për 45 vite, ose në kampin e Lindjes ose krejtësisht të izoluar, “zgjohet” në vitin 1992 dhe deklaron me mburrje se qeveria e Partisë Socialiste me Edi Ramën në krye, pas vendimit për përzënien e dy diplomatëve rusë, e ka rreshtuar Shqipërinë në kampin socialist.

Këtë deklaratë butaforike e lëshoi ditën e djeshme, vetë ministri i Jashtëm i vendit, Ditmir Bushati, gjatë një interviste në T.Ch.

Pyetjes së gazetarit se, çfarë rrezikon Shqipëria në lidhje me marrëdhëniet me Rusinë pas këtij vendimi, Bushati ju përgjigj:

“Nuk besoj se ka diskutim që ky është një vendim i vështirë. Shqipëria, natyrisht, kur ka ndërmarrë këtë vendim, ka marrë në shqyrtim edhe të gjitha konsekuencat që mund të vijnë nga ky rreshtim në kampin perëndimor”.

Shqipëria anëtare e NATO, aspirante për Bashkimin Europian, pjesëtare e rregullt për një kohë të gjatë në misione paqeje dhe ushtarake të kampit perëndimor, na qenka rreshtuar më në fund me SHBA-në dhe vendet e tjera aleate vetëm pas vendimit të qeverisë Rama, për të shpallur “të padëshiruar” dy diplomatë rusë!

E gjithë kjo retorikë qesharake “me sakrifica dhe pasoja” vjen në vijim të strategjisë së Edi Ramës, i cili nuk rresht së kërcënuari “kampin perëndimor” me faktorin rus, nëse nuk i hapin negociatat për anëtarësim në BE së shpejti.

E vërteta është se “kampi perëndimor” kërkon qartë nga qeveria Rama, që ti japë fund korrupsionit galopant dhe lidhjeve me krimin e organizuar dhe jo të dalë në ballë të luftës kundër “rrezikut rus”, gjë që ka kush e bën.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat