Bushati pret përfaqësuesit e vendeve anëtare të BE-së, thekson rëndësinë e reformave

Shqipëria

Bushati pret përfaqësuesit e vendeve anëtare të BE-së, thekson rëndësinë e reformave

Më: 21 mars 2018 Në ora: 15:47
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati, priti sot në Tiranë anëtarët e Komitetit të Çështjeve Politike dhe të Sigurisë së Bashkimit Evropian, të cilët janë për vizitë në Shqipëri.

Ministri Bushati bisedoi me përfaqësuesit e vendeve anëtare të BE-së mbi temat kryesore të politikës së Jashtme të Shqipërisë, mbi bashkëpunimin dhe kontributin e vendit në operacione civile dhe ushtarake të Bashkimit Evropian. Ministri informoi edhe mbi marrëdhëniet e Shqipërisë në NATO me vendet e tjera të rajonit dhe çështjes së sigurisë rajonale dhe asaj evropiane.

Sipas njoftimit të Ministrisë së Punëve të Jashtme “Ministri Bushati vlerësoi lart mbështetjen e vendeve anëtare të BE-së për proceset transformuese demokratike në vendin tonë dhe në procesin e integrimit evropian dhe evidentoi impaktin transformues që ka politika e zgjerimit në vendet e rajonit të Ballkanit.”

Bushati theksoi “rëndësinë e reformave në fushën e drejtësisë dhe forcimit të shtetit ligjor në Shqipëri dhe lidhjen e drejtpërdrejtë e ndikimin e tyre në sigurinë e vendit.”
“Në këtë vizitë në Shqipëri përfaqësuesit e vendeve anëtare vlerësuan ecurinë e reformave si dhe kontributin e dhënë në forcimin e bashkëpunimit rajonal” shkruan Ministria e Punëve të Jashtme.

Anëtarët e Komitetit të Çështjeve Politike dhe të Sigurisë së Bashkimit Evropian nënvizuan rëndësinë e forcimit të perspektivës evropiane të rajonit të Ballkanit dhe vunë theksin në nevojën e zgjidhjes sa më parë të të gjitha mosmarrëveshjeve dypalëshe si kontribut i rëndësishëm në përshpejtimin e procesit të integrimit evropian të të gjithë rajonit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat