Shkodër-Vau i Dejës, mijëra ha të përmbytura dhe 60 banesa në ujë

Shqipëria

Shkodër-Vau i Dejës, mijëra ha të përmbytura dhe 60 banesa në ujë

Më: 20 mars 2018 Në ora: 14:20
Shkodër-Vau i Dejës

Në Njësitë Administrative të përmbytura situata vazhdon të përkeqësohet dhe sipërfaqja totale ka arritur mbi 2920 ha. Uji hyn në qytetin e Shkodrës dhe përmbyt banesat

Në të gjithë qarkun e Shkodrës, gjatë natës së të dielës dhe të hënës ka pasur reshje të dendura shiu, ndërsa është zgjeruar sipërfaqja e zonave që janë përmbytur. Në Njësitë Administrative të përmbytura situata vazhdon të përkeqësohet dhe sipërfaqja totale ka arritur mbi 2920 ha.  Ndërsa në fshatin Shirq janë të bllokuara nga uji 28 familje, në fshatin Mushan 4 familje dhe në fshatin Darragjat 4 familje. Në Vaun e Dejës sipërfaqja totale e tokës së përmbytur ka qenë rreth 2520 ha, ndërsa 25 familje janë të izoluara nga uji. Bashkia Shkodër kërkoi një kamion ushtrie për shpërndarjen e ndihmave në terren dhe varka në varësi të gjendjes.

Bashkia thekson se kemi bërë një kërkesë për gjendjen emergjence, por akoma nuk ka një përgjigje zyrtare nga autoritetet përgjegjëse. “Insistojmë në kërkesën tonë të vazhdueshme për shpalljen e emergjencës civile në një pjesë të territorit të Bashkisë së Shkodrës pasi situata e krijuar është rezultat i shkarkimeve të mëdha në sasi dhe për një kohë të gjatë në kaskadën e lumit Drin”.  Si pasojë e motit të keq qarku i Shkodrës ka ditë që është nën pushtetin e ujit. Reshjet e shumta kanë sjellë përkeqësim të situatës çdo ditë e më shumë. Është rritur niveli i lumit Buna gjë që ka sjëllë rrezik të përmbytjeve edhe brenda qytetit të Shkodrës.

IGJEUM thotë se do të vazhdojë rritja e prurjeve edhe gjatë ditës së sotme në pjesët malore të basenit duke përfshirë edhe hidrocentralet mbi lumin Drin, dhe si pasojë do të rrezikohet përmbytja e qytetit të Shkodrës, përveç rrethinave. Këto janë shenjat e para të një përkeqësimi, ka pasur fryrje të liqenit të Shkodrës, gjatë orëve të ardhshme zgjerim të hartës së përmbytjeve. Lagjet më të rrezikuara janë ajo e Livadheve dhe Baçallëkut. Liqeni i Shkodrës  është në kuotat maximale, situata e cila shohim na paralajmëron për një situatë të 2010. Forcat e Armatosura kanë evakuuar 34 familje nga zona e Nënshkodrës me makina dhe varka.

Puna e Forcave të Armatosura për t’i ardhur në ndihmë familjeve të përmbytura ka filluar që prej 5 marsit. Sipas një njoftimi për mediat, deri tani FA ka realizuar: transportimin e 850 personave, mbi 900 pakove ushqimore, 2860 litra ujë, si dhe kanë angazhuar 324 forca. Në Bashkinë e Shkodrës, në zonën e Livadheve janë përmbytur 80 hektarë tokë. Pas inspektimeve më të fundit rezulton se në rrugën “Et‘hem Kazazi” ka prezencë uji dhe në një segment rruge ka vështirësi kalimi. Në këtë rrugë ndodhen mbi 40 shtëpi me prezencë uji afër oborreve të tyre.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat