Zbardhet dëshmia, çfarë deklaroi para gjykatës kryebashkiaku i Lezhës

Shqipëria

Zbardhet dëshmia, çfarë deklaroi para gjykatës kryebashkiaku i Lezhës

Më: 20 mars 2018 Në ora: 10:23
Gjyqi

Ditën e djeshme, kryetari i bashkisë së Lezhës, Fran Frrokaj doli para gjykatës nën akuzën e tjetërsimit të pronës dhe abuzim me detyrën.

Gjykata vendosi ndryshimin e masës së arrestit nga burg në “arrest shtëpie”.

Para trupit gjykues të Gjykatës së Shkallës së Parë të Lezhës, Frrokaj deklaroi se arrestimi i tij u bë pa prova.

"Arrestimi i një kryetari bashkie në flagrancë bëhet kur kryen një krim apo vepër tjetër penale, arrestohet kur ka shkaktuar një dëm ekonomik, apo kur ekziston mundësia për tu larguar jashtë shtetit. Në asnjë prej këtyre rasteve unë nuk jam pjesë dhe arrestimi im është bërë pa asnjë provë.

Unë kam qenë i gatshëm për prokurorinë dhe për këtë çështje jam pyetur aq herë sa ka kërkuar Prokurori. Nuk kam asnjë lidhje me akuzën.

Kam sigluar një shkresë që ka përgatitur vartësi im mbi bazën e dokumenteve që ka dorëzuar qytetari. Por nuk jam unë pjesë e kësaj skeme dhe nuk kam pasur dijeni për këtë tjetërsim pronash. Akuzat ndaj meje janë pa fakte dhe nuk ekziston asnjë provë", tha ai.

Kryebashkiaku i Lezhës, Fran Frrokaj së bashku me 11 zyrtarë u arrestuan më 16 mars 2018 pasi u akuzuan se në bashkëpunim me njëri tjetrin duke abuzuar me detyrën dhe falsifikuar dokumente, kanë tjetërsuar dhe përvetësuar 234,548 m2 tokë shtetërore ranishte në zonën bregdetare Shëngjin, tek vendi i quajtur “Rana e Hedhun”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat