Artur Zheji mes mallit për humbjen e të atit: Më gënjeve apo më the të vërtetën Babush?

Shqipëria

Artur Zheji mes mallit për humbjen e të atit: Më gënjeve apo më the të vërtetën Babush?

Më: 18 mars 2018 Në ora: 11:33
Artur Zheji

Artur Zheji ka kujtuar tre-vjetorin e vdekjes së të atit, gjuhëtarit të njohur Petro Zheji.

Zheji shkruan se marrëdhënia mes të dyve ishte shumë e afërt, i ati për të ishte shok, vëlla, mësues, mik i shtrenjtë, një burim ngrohtësie që nuk zëvendësohet nga asgjë dhe nga askush.

Gazetari tregon mes rreshtave sesi i ati ishte i shqetësuar që po e linte djalin e tij në një botë të vështirë dhe të pajetueshme.

“Kam patur fatin e madh të jem biri i Petro Zhejit. Një prind i ëmbël dhe i dashur. Një babush që përmes 1001 përkëdhelive, fjalëve të ëmbla dhe mençura, ka ditur të rrisë dhe të “vadisë” shpirtërisht birin e vet. Një mall i frikshëm për ty baba. Që ishe shok, vëlla, mësues, mik i shtrenjtë, një burim ngrohtësie që nuk zëvendësohet nga asgjë dhe nga askush. Në çdo moshë njeriu mbetet jetim dhe nuk paska gjë më të rëndë.

Sidomos kur të mungon një kollos i gjithë ditur si Petrushka. Ishe dhe mbetesh një rreze Drite, në këtë muzg mjeran shqiptar. Por nuk harroj fjalët e tua të fundit, tek më shihje të përlotur dhe kur e kuptove që ishe nisur për udhëtimin e largimit nga kjo Tokë: “Mos u merakos për mua, sepse unë po shkoj në një botë shumë më të bukur… në të vërtetë, unë jam i shqetësuar për ty, se po të le vetëm në këtë jetë të vështirë dhe të pajetueshme…” Më gënjeve apo më the të vërtetën Babush?

Në të dyja rastet u largove madhështor dhe nuk tu lëkund asnjë grimë nga besimi te Zoti dhe Krishti që ti besoje me bindje të plotë. Nuk të them dot: “U prefsh i qetë dhe në Paqe!” sepse besoj edhe unë që ti nuk po prehesh, por je diku, një Rreze Drite e çmuar… në Botën e Madhe të Dritës, që ne të vdekshmit jetojmë ditë pas dite. Mirupafshim pra, miku im… shqiptarët që ti doje aq shumë, po bëhen ndërmjet një mijë dyshimeve, më të vetëdijshëm, për Gjuhën Shqipe, Gjuhën e Vjetër të Zotave, ashtu si mendoje dhe si e vërtetove ti”, shkruan Zheji.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat