FNSH zbarkon në Lezhë për arrestimin e 11 të kërkuarve për skandalin me pronat

Shqipëria

FNSH zbarkon në Lezhë për arrestimin e 11 të kërkuarve për skandalin me pronat

Më: 17 mars 2018 Në ora: 12:01
Fran Frrokaj

Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë të Tiranës dhe Shkodrës prej pasdites së djeshme kanë zbarkuar në Lezhë për arrestimin e 11 prej 23 personave të dyshuar si të përfshirë në skandalin me tokat e bregdetit të Lezhës.

Ndërkohë dje u njoftua arrestimi i 12 personave mes tyre kryetarit të bashkisë së Lezhës, Fran Frrokaj, nënkryetarit të bashkisë dhe drejtoresha e hipotekës. 

Ora News informon se efektivët kanë ushtruar kontrolle në banesat e personave që janë shpallur në kërkim. Gjithashtu janë ngritur edhe postblloqe në akset rrugore me qëllim ndalimin e të dyshuarve që mendohet se ndodhen brenda vendit. 

Shtetasit janë me detyra në ZVRPP, në ish-Komunën Shëngjin apo përfitues tokash në mënyrë të paligjshme.

"Gjatë natës ka pasur persona të tjerë të ndaluar në lidhje me këtë çështje. Emrat ende nuk janë bërë të ditur policia pritet të dalë me njoftim zyrtar. Të arrestuarit gjatë ditës së djeshme pritet të dalin nesër në gjykatë për rivlerësim të masës së sigurisë. Para ambjenteve të policisë vazhdojnë të qëndrojnë mbështetës të kryebashkiakut Frrokaj.

Te arrestuar e 16 marsit 2018 

Mbi bazën e provave të grumbulluara dhe sekuestruara nga Sektori për Hetimin e Korrupsionit dhe Prokuroria e Rrethit Gjyqesor Lezhë, Gjykata e Shkallës së Parë Lezhë, me vendimin e datës 15 mars 2018, ka vendosur masën e sigurisë personale  “Arrest ne burg” për zyrtaret e administratës shtetërore dhe për shtetas të tjerë të cilat janë ekzekutuar për shtetasit: 

1. Fran FRROKAJ, 52 vjeç, lindur dhe banues në Lezhë, me detyrë Kryetar i  Bashkisë Lezhe. 

2. Enver Hafizi, 62 vjeç, lindur dhe banues në Lezhë, me detyrë Nenkryetar i Bashkisë Lezhë 

3. Gjok  Ndoka,  52 vjeç, lindur dhe banues në Lezhë, me detyrë Kryetar Këshillit të Qarkut Lezhë 

4. Adenis Haxhia, 29 vjeç, lindur dhe banues në Lezhë, me detyre jurist pranë Bashkisë Lezhë. 

5. Dilaver Neli, 56 vjeç, lindur dhe banues në Lezhë, me detyrë specialist në Drejtorinë e Mbrojtjes  së Tokës të Këshilli Qarkut Lezhë, 

6. Enkelejd Zefi, 28 vjeç, lindur dhe banues në Lezhë, me detyrë specialist hartograf pranë ZVRPP Lezhë. 

7. Pjeter Gjoni, 68 vjeç, lindur dhe banues në  Lezhë, përfitues tokë në mënyrë  të  paligjshme. 

Me masën e sigurisë personale “Arrest në shtëpi” për zyrtaret: 

1. Gjelina Baca, 58 vjeçe, me banim në Lezhë, me detyrë Drejtoreshë e Drejtorisë së Bujqësisë në Bashkine Lezhë. 

2. Juxhina Mema, 25 vjeçe, lindur dhe banues në Gramsh, me detyrë ish- specialiste në Drejtorinë e Bujqesisë në Bashkinë Lezhë 

3. Marte Gjergji, 50 vjeçe, me banim në Lezhë, me detyrë topografe pranë Bashkisë Lezhë. 

4. Frrok Frroku, 75 vjeç, me banim në Bashkinë Mamurras, ka përfituar tokë në menyrë të paligjshme. 

5. Luigj Paloka, 76 vjeç, me banim në Shkodër, ka falsifikuar aktet.

Si u zbulua abuzimi 

(deklarata e policise)

Hetimet lidhur me këtë dosje kanë filluar mbi bazën e të dhënave të siguruara nga burime policore dhe ankime të qytetarëve. 

Në to evidentohej tjetërsimi në kundërshtim me ligjin të disa pasurive shtetërore “ranishte dhe pyll”, përgjatë bregut të detit në zonën  e plazhit të  fshatit Mali i Rencit dhe Mali i Shëngjinit, tek zona e quajtur “Rana e Hedhun”, si dhe pjesën e malit në shpatin e tij, sipër zonës së quajtur “Rana e Hedhun”, në Njesinë Administrative Shëngjin, Bashkia Lezhë. 

Nga veprimet hetimore ka rezultuar se përgjatë periudhës 2016-2017, Bashkia Lezhë ka dërguar për regjistrim në ZVRPP-në Lezhë dokumentacionin për pajisjen me tokë të shtetasve Frrok Frroku, Gj. F., N. F., M. F.,  Z, Gj,, N. T.,  Pjetër Lini (Gjoni), V. Gj. dhe R.M. 

Praktikat dokumentare të dërguara nga Bashkia Lezhë në Zyrën Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Lezhë, përmbajnë aktin e marrjes së tokës në pronësi, vërtetimet e kufizimeve, konfirmimet e pasurisë, planet e rilevimit, të cilat janë të falsifikuara dhe janë përpiluar në emër të personave, të cilët nuk kanë qenë dhe nuk janë banorë të Fshatit Mali i Rencit. 

Nga ana e Bashkisë Lezhë dhe e Këshillit të Qarkut Lezhë, nëpërmjet shkresave përkatëse zyrtare pavarësisht se në realitet janë mal dhe ranishte janë konfirmuar  si toka të   kategorisë “Arë” dhe “Pemtore”. 

Drejtuesit e Bashkisë Lezhë, duke i paraqitur si tokë bujqësore, kanë dërguar edhe një vendim të falsifikuar në emër të Këshillit të Qarkut Lezhë, si dhe personat e sipërcituar përvetësues të këtyre pronave, janë trajtuar me parë me tokë sipas ligjit 7051 dhe disa nuk janë banorë të zonës.   

Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurisë se Paluajtshme Lezhë, pasi ka administruar dokumentacionin, gjatë analizimit të dokumentacionit të pajisjes me tokë të shtetasve të sipërcituar, ka konstatuar se sipërfaqet e pasurive nuk janë tokë bujqësore por janë tokë pyll dhe ranishte. 

ZVRPP-ja ka kërkuar konfirmim për dokumentacionin e dërguar nga Bashkia Lezhë, me shkresa përkatëse nga Bashkia dhe Këshilli i Qarkut Lezhë. 

Bashkia dhe Këshilli i Qarkut Lezhë, i kanë kthyer përgjigje zyrtare ZVRPP-së Lezhë, ku rikonfirmohet  zyrtarisht se pasuritë janë të llojit arë dhe pemtore. 

Pas marrjes së përgjigjeve nga ana e Bashkise dhe Këshillit të Qarkut Lezhë, punonjësit e ZVRPP-së Lezhë, kanë proceduar me regjistrimin e këtyre pasurive, ku sipas dispozitave ligjore të Ligjit 7501, datë 19.07.1991 “Për tokën”, si dhe akteve ligjore e nënligjore të dala në zbatim të tij, nga ana e tyre nuk duhej të procedohej me regjistrimin e këtyre pasurive. 

Pas regjistrimit të këtyre pasurive në Zyrën Vendore të Pasurive të Paluajtshme Lezhe, në një kohë shumë të shkurtër, përfituesit e paligjshëm, e kanë tjetërsuar pronësinë, duke e shitur me çmime simbolike në emër të personave të tjerë apo edhe të lidhjeve të tyre familjare, sipas kontratave te bllokuara. 

Personat përgjegjës për përpilimin e këtyre praktikave të regjistrimit të pasurive në emër të shtetasive të sipërcituar janë specialisti i zyrës së kadastrës, shefja e kadastrës Kryetari i Bashkisë Lezhë Fran Frrokaj, pasi këta shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në kundërshtim të plotë me kërkesat e ligjit 7501, si dhe akteve ligjore e nënligjore të dala në zbatim të tij kanë administruar, konfirmuar dhe dërguar për regjistrim dokumentacion të falsifikuar në përmbajtje dhe formë, për pasuri që janë në fakt toke pyll, ranishte, shkurre, shkëmb, dhe jo tokë buqësore. 

Nga ana e Këshillit të Qarkut Lezhë janë konfirmuar me shkresë se pasuritë e sipërcituara janë të llojit pemtore, ndërkohë që në fakt sipas akt ekspertimi topografik është tokë pyll, ranishte, shkurre dhe shkëmb. Për këto veprime mbajnë përgjegjësi, specialisti i Arshives dhe Kryetari i Keshillit te Qarkut Lezhe, Gjok Ndoka. 

Nga ana e ZVRPP-së Lezhë, regjistruesi, juristi, hartografi, kanë pranuar administruar dhe regjistruar dokumentacionin e pasurive në emër të shtetasve të sipërcituar në kundershtim me Ligjin 7501. 

Toka e përfituar është shitur me dokumentacion të falsifikuar duke perfituar padrejtesisht shuma monetare të konsiderueshme. Vazhdon puna për identifikimin zyrtarëve e personave të tjerë të implikuar në këtë aktivitet kriminal.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat