Ambasadori britanik: Rusia përgjegjëse për sulmin me agjent kimik nervor, të shqetësuar nga ndikimi rus

Shqipëria

Ambasadori britanik: Rusia përgjegjëse për sulmin me agjent kimik nervor, të shqetësuar nga ndikimi rus

Më: 16 mars 2018 Në ora: 17:04
Duncan Norman

Ambasadori i Mbretërisë së bashkuar në Tiranë, Duncan Norman, ka bërë përgjegjës Rusinë për sulmin me një agjent kimik nervor ndaj një ish-agjenti të dyfishtë dhe vajzës së tij, ngjarje e ndodhur rreth 10 ditë më parë.

“Ne vendosëm që kishte vetëm dy shpjegime të mundshme. Ose: ky ishte një akt i drejtpërdrejtë i shtetit rus kundër shtetit tonë; ose Qeverisë ruse mund t’i ketë shpëtuar prej kontrollit ky agjent nervor, me gjasë katastrofikisht i dëmshëm dhe është lejuar të bjerë në duar të tjera. Ne nuk do të tolerojmë përpjekje të paskrupullta për të vrarë civilë të pafajshëm në tokën tonë”, theksoi diplomati britanik.

Ai u shpreh se është e gabuar që ngjarja shihet thjesht si lojë spiunësh, pasi bëhet fjalë për një sulm me armë kimike nga një shtet tjetër në Mbretërinë e Bashkuar dhe për këtë arsye ngjarja është kaq e rëndë.

“Sigurisht ne presim nga aleatët tanë të përgjigjen dhe sigurisht i mirëpresim përgjigjet e duhura nga ana e aleatëve në NATO, por nuk po flasim për veprime ushtarake”, tha Norman.

Gjatë konferencës për mediat, diplomati britanik u pyet në lidhje me ndikimin rus në Ballkan dhe në Shqipëri, ndërsa nuk komentoi akuzat e bëra nga mazhoranca dhe opozita mes tyre për këtë çështje.

 “Unë nuk dëshiroj të komentoj specifikisht mbi akuzat mes PS-së dhe PD-së; nuk mendoj se më takon mua ta bëj një gjë tillë sot. Por mund të them që ne jemi të shqetësuar për aktivitetin më të gjerë të Rusisë në rajon, përfshirë edhe çfarë ndodhi në Malin e Zi.”,tha ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat