Skandali i lobimit të PD, ambasadori britanik: Ndikimi rus në rajon është shqetësim

Shqipëria

Skandali i lobimit të PD, ambasadori britanik: Ndikimi rus në rajon është shqetësim

Më: 16 mars 2018 Në ora: 16:16
Duncan Norman

Ambasada Britanike në Tiranë është e shqetësuar për përpjekjet ruse për të ndikuar Ballkanin, por nuk pranon të komentojë akuzat ndaj Partisë Demokratike se është financuar nga lobistë rusë.

“Unë nuk dëshiroj të komentoj specifikisht mbi akuzat mes PS-së dhe PD-së; nuk mendoj se më takon mua ta bëj një gjë tillë sot. Por mund të them që ne jemi të shqetësuar për aktivitetin më të gjerë të Rusisë në rajon, përfshirë edhe çfarë ndodhi në Malin e Zi.”, u shpreh ambasadori Duncan Norman. 

Ambasadori zhvilloi këtë të premte një bashkëbisedim me gazetarët në Tiranë, për të qartësuar pozicionin e Mbretërisë së Bashkuar ndaj saj që është konsideruar sulmi i parë kimik pas Luftës së Dytë Botërore. Sikundërse qeveria e tij, ambasadori bëri përgjegjës Rusinë për sulmin me një agjent kimik nervor e një ish-spiuni rus që u sulmua në Angli bashkë me vajzën e tij.

“Ne vendosëm që kishte vetëm dy shpjegime të mundshme. Ose: Ky ishte një akt i drejtpërdrejtë i shtetit rus kundër shtetit tonë; ose Qeverisë ruse mund t’i ketë shpëtuar prej kontrollit ky agjent nervor, me gjasë katastrofikisht i dëmshëm dhe është lejuar të bjerë në duar të tjera. Ne nuk do të tolerojmë përpjekje të paskrupullta për të vrarë civilë të pafajshëm në tokën tonë.”

Por a do të reagojë ushtarakisht NATO ndaj Rusisë pas këtij incidenti.

“Mendoj se është e gabuar ta shohim ngjarjen si thjesht lojë spiunësh. Në realitet bëhet fjalë për një sulm me armë kimike nga një shtet tjetër në Mbretërinë e Bashkuar dhe për këtë arsye ngjarja është kaq e rëndë. Le të jemi të qartë; asgjë nga ato që unë thashë nuk sugjeron që masat e ndërmarra janë një përgjigje ushtarake. Sigurisht ne presim nga aleatët tanë të përgjigjen dhe sigurisht i mirëpresim përgjigjet e duhura nga ana e aleatëve në NATO, por nuk po flasim për veprime ushtarake.” Megjithëkëtë, dimri i gjatë dhe kërcënimi rus me bllokimin e gazit është real, ndaj Britania saktëson se nuk dëshiron prishje të marrëdhënieve ekonomike me Rusinë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat