'Emigracioni nuk është negativ', Gjosha i kthehet Ramës: Arroganca dhe deliri paralajmërojnë fundin

Shqipëria

'Emigracioni nuk është negativ', Gjosha i kthehet Ramës: Arroganca dhe deliri paralajmërojnë fundin

Më: 16 mars 2018 Në ora: 12:02
Ish-ministrja e Integrimit, Klajda Gjosha

Ish-ministrja e Integrimit, Klajda Gjosha, e ka hedhur poshtë tezën e kryeministrit Edi Rama se emigracioni është fenomen pozitiv dhe se nuk duhen pllaquritur në lot për ata që ikin apo si do të jetë e ardhmja e vendit.

Gjosha tha se qytetarët po e braktisin vendin se nuk u ka mbetur më asnjë fije shpresë dhe se të gjesh një vend pune, është kthyer në luks.  Po ashtu, deputetja e LSI-së ka zgjuar shpresën se" shpeshherë arroganca dhe deliri paralajmërojnë fundin e një lideri që po i merr frymën atyre çdo ditë"

"Në Konferencën e sotme per emigracionin, - shkruan Gjosha në Fb, - ajo që të bie në sy është mania e Kryeministrit për të trajtuar largimin e shqiptarëve si diçka normale, historike, të lidhur me tregun dhe lëvizjen e lirë. Madje ai e krahason Shqipërinë me Kroacinë, me Poloninë, duke harruar faktin që këto janë vende anëtare dhe me një kontekst tjetër të arsyeve pse qytetarët e tyre lëvizin drejt vendeve të tjera.

Nuk e di si e shpjegon Kryeministri faktin që numri i azilkërkuesve në Francë, Suedi, Gjermani ka qënë përtej limiteve gjatë viteve të fundit, madje ku qytetarët kanë pranuar të jetojnë në çadra vetëm për të mos bërë kompromis me realitetin shqiptar? Si e shpjegon ai faktin që vetëm në tre muajt e parë te 2018 edhe Greqia është vënë në alarm për numrin e kërkesave për azil, në një kohë kur mos harrojmë që të gjithë shqiptarët kanë minimumi nga një të afërm që jeton në Greqi prej vitesh? Si e shpjegon faktin që po shkelen të gjitha rregullat e lëvizjes së lirë duke kaluar përtej afateve 90 ditore të qëndrimit në hapësirën Schengen?

Qytetarët po e braktisin vendin sepse nuk ka mbetur më asnjë fije shpresë. Sepse të gjesh sot një vend pune është kthyer në lluks! Sepse qeverisë i janë errësuar sytë para pushtetit dhe refuzon të ulet me këmbë në tokë për të dëgjuar britmat që vijnë nga familjet në nevojë, nga rinia, nga bankierët, nga mësuesit, nga mjekët, nga bizneset!

Megjithatë shpresa e fundit që i mbetet shqiptarëve është se shpeshherë arroganca dhe deliri paralajmërojnë fundin e një lideri që po i merr frymën atyre çdo ditë!"

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat